El Ninjo dhe valët ekstreme të të nxehtit, Kastrati: Nuk ka vend për panik
El Ninjo është një fenomen klimatik që ndodh kur ujërat sipërfaqësore të Oqeanit Paqësor qendror dhe lindor ngrohen mbi mesataren, duke ndikuar në motin dhe reshjet në shumë pjesë të botës. Ky fenomen ka rikthyer alarmin në mediat ndërkombëtare për valë të reja të të nxehtit ekstrem gjatë verës së viteve 2026 dhe 2027. Për…
Lajme
El Ninjo është një fenomen klimatik që ndodh kur ujërat sipërfaqësore të Oqeanit Paqësor qendror dhe lindor ngrohen mbi mesataren, duke ndikuar në motin dhe reshjet në shumë pjesë të botës.
Ky fenomen ka rikthyer alarmin në mediat ndërkombëtare për valë të reja të të nxehtit ekstrem gjatë verës së viteve 2026 dhe 2027. Për këtë fenomen, ekspertët në Kosovë thonë se vendi ynë nuk preket drejtpërdrejt, por pasojat indirekte vërehen përmes temperaturave rekord, reshjeve të çrregullta dhe periudhave më të gjata të thatësisë.
Bashkim Kastrati nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës thotë për Kosovapress se termi “Super El Ninjo”, të cilën po e përdorin disa media ndërkombëtare, nuk ekziston zyrtarisht në klasifikimet meteorologjike ndërkombëtare sepse sipas tij ky fenomen nuk ka kategoritë e tij, ajo thjesht quhet “El Ninjo”.
“Si pasojë e kësaj pra, nëse themi kështu se uji i Oqeanit Paqësor, si oqeani më i madh në planetin Tokë, gjatë muajve të pranverës edhe të verës sidomos, ngrohet më tepër se sa mesatarja e saj shumëvjeçare e sipërfaqes domethënë të oqeanit, atëherë krijohen rrymimet. Kjo ngjarje ndikon pastaj edhe në çrregullimin e erërave të qëndrueshme dhe natyrisht paraqitjen e periudhave të thatësirave nëpër disa zona apo nëpër disa vende të botës, konkretisht në pjesë të Australisë, pastaj të Azisë Juglindore, dhe paraqitjen e përmbytjeve, gjegjësisht të vërshimeve në pjesë të tjera të botës, sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pastaj në Amerikën Jugore, në Peru e kështu me radhë ”, shton ai.
Megjithëse Kosova nuk ndikohet drejtpërdrejt nga El Ninjo, Kastrati thotë se efektet indirekte janë të pashmangshme për shkak të ndryshimeve globale klimatike.
“Ndikimet kryesore të saj, tash po e ndërlidhim pra me vendin tonë apo me rajonin, konkretisht, mund të paraqiten do të thotë periudha me temperatura të larta. Pastaj mund të paraqitet shpërndarje e pabarabartë e reshjeve, mund të kemi për një periudhë të shkurtër intensitet më të lartë të reshjeve, pastaj paraqitjes së periudhave të thata, e cila reflektohet në hidrologji, gjegjësisht në atë balancimin apo bilancin hidrologjik të lumenjve, kemi rrjedha më të ulëta të lumenjve, të cilat shkaktohen me mungesë të ujërave sipërfaqësorë dhe nëntokësorë”, tha ai.
Sipas tij, vendi mund të përballet me valë të të nxehtit, temperatura tropikale mbi 35 gradë Celsius dhe mungesë lagështie në tokë, gjë që ndikon drejtpërdrejt në bujqësi, ekosisteme dhe shëndetin publik.
“Temperaturat e larta, mungesa e lagështisë në tokë paraqet problem edhe për bujqësinë, domethënë për disa kultura bujqësore e kështu me radhë. Kjo është ndikimi më i madh gjatë muajve të gjatë muajve të verës ku mund të ketë edhe heatëaves, apo goditje nga temperaturat e larta për disa ditë, mund të kemi temperatura tropike apo tropikale, të cilat janë mbi 35 gradë, të cilat natyrisht ndikojnë edhe në shëndetin e përgjithshëm publik, por edhe në përgjithësi domethënë jetën e përditshme të njerëzve, pastaj të bimëve, të kafshëve, tek ekosistemet, turizmit, biodiversitetit e kështu me radhë.”, thekson Kastrati
Kastrati thotë se është ende herët të lidhen luhatjet aktuale të temperaturave në Kosovë me fenomenin El Niño-n, pasi ky fenomen zhvillohet gradualisht dhe ndikimi i tij vërehet kryesisht në afat më të gjatë dhe kryesisht gjatë stinës së verës.
Ai kujton se Kosova tashmë po përjeton pasoja të dukshme të ndryshimeve klimatike. Sipas tij, korriku i vitit 2025 ka shënuar temperaturën më të lartë të regjistruar ndonjëherë në vend.
“Gjatë muajit korrik të vitit 2025, ne në institut i kemi regjistruar temperaturat, rekorde të cilat asnjëherë nuk janë regjistruar më herët në Kosovë. Kështu që në qytetin e Klinës, në stacionin tonë meteorologjik, pra janë regjistruar temperaturat prej 42.5 dhe kjo është temperaturë rekorde në Kosovë. Dhe nëse i shohmi trendet apo tendencat e këtyre temperaturave viteve të fundit, ne jemi dëshmitarë po e vërejmë se kemi një numër të shtuar apo të ngritur të vlerave të këtyre temperaturave”, tha ai.
Ai shton se viteve të fundit është rritur ndjeshëm numri i ditëve tropikale, ndërsa dimrat po bëhen më të shkurtër dhe me më pak borë. Sipas Kastratit, kjo ka ndikuar drejtpërdrejt në uljen e prurjeve të lumenjve dhe në deficitin e ujërave sipërfaqësore e nëntokësore në disa rajone të Kosovës.
“Nëse i vërejmë vit me vit unë mendoj se është më i mirë në krahasim me vitet e tjera, sepse deri tani është muaji i fundit, gjegjësisht mesi i muajit maj apo fundi i tij, dhe në zonat më të larta malore, tani me siguri mbi 2000 metra lartësi kemi akoma borë, që është shumë mirë. Por viteve të kaluara, kur them viteve të kaluara po them 5 viteve të fundit, kjo ndoshta ka qenë domethënë më më pak prezente. Dhe si pasojë e saj kemi pasur domethënë edhe rrjedhat më të limituara apo kemi pasur prurje të lumenjve nëpër pjesë të ndryshme të Kosovës nën mesataren shumëvjeçare. E cila pastaj është reflektuar edhe në deficitin e ujërave sipërfaqësore, do të thotë por edhe atyre nëntokësore. Dhe pasojë domethënë në furnizimin e popullsisë me ujin e pijshëm për disa zona të Kosovës, të cilat kryesisht burim të ujit e kanë, domethënë e marrin direkt ose në mënyrë të tërthortë prej lumenjve”, tha ai
Por që sipas tij, të gjitha këto ndryshime kanë ndodhur për shkak të faktorëve të ngrohjes globale.
Megjithatë, ai apelon që qytetarët të mos krijojnë panik për verën e sivjetme, duke shtuar se në krahasim me vitet paraprake, viti 2025 ka qënë me stabil sa i përket sasisë së ujit. Kështu që edhe nëse do të jetë verë e nxehtë, sipas tij nuk do të ketë mungesë të ujit.
Por gjithsesi ai kërkon te publiku, ndërgjegjësim më të madh për kursimin e ujit dhe përballjen me ndryshimet klimatike.
“Mund të ketë vështirësi për shembull viteve të ardhshme me paraqitjen e thatësirave, fillimisht meteorologjike, pastaj domethënë me konotacione hidrologjike, por për këtë vit, për këtë vit jam shumë i sigurt se edhe asnjë pikë shi mos me ra gjatë verës, ne e kemi të siguruar ujin, sepse domethënë ka qenë një një periudhë ku kemi pasur reshje, pastaj domethënë ka pasur edhe reshje të shiut edhe të borës ku akumulimet ujore ne i kemi parë në Kosovë, janë të mbushura me ujë të gjitha. Por natyrisht kjo nënkupton se duhet gjithmonë, ama gjithmonë duhet të kemi kujdes ta ruajmë, ta kursejmë çdo pikë të këtij uji kudo që ndodhemi në vendin tone”, thotë ai.
Fenomeni ENSO (El Niño–Southern Oscillation) është sistemi i përgjithshëm klimatik që përfshin luhatjet midis kësaj faze të ngrohjes (El Niño), fazës neutrale dhe fazës së ftohjes (La Niña), dhe zakonisht zhvillohet në cikle të parregullta që zgjasin disa vite.
La Nina është faza e kundërt e El Niño-s, ku ujërat e Paqësorit ekuatorial ftohen nën mesataren për shkak të forcimit të erërave tregtare, duke sjellë sërish ndryshime të mëdha në modelet globale të motit dhe klimës./kp