Ekspozimi i punëtorëve të AKI-së nga Osmani, Ramadani: Papjekuria në krye të shtetit rrezikim serioz i sigurisë kombëtare
Ish-kryesinspektori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Burim Ramadani, ka reaguar ashpër pas publikimit të një fotografie nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ku shfaqen – të kthyer me shpinë – punonjëset gra të AKI-së, për nder të Ditës Ndërkombëtare të Gruas. Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Ramadani ka thënë…

Lajme
Ish-kryesinspektori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Burim Ramadani, ka reaguar ashpër pas publikimit të një fotografie nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ku shfaqen – të kthyer me shpinë – punonjëset gra të AKI-së, për nder të Ditës Ndërkombëtare të Gruas.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Ramadani ka thënë se papjekuria në krye të shtetit në tema të sigurisë është, në esencë, rrezikim serioz i sigurisë kombëtare.
Sipas tij duhet të jesh krejtësisht joprofesionist për të moskuptuar gabimin elementar në foton, ku ekspozohen, sipas Presidentes, punonjëse të inteligjencës.
“Duhet të jesh krejtësisht joprofesionist për të moskuptuar gabimin elementar në foton e djeshme, ku ekspozohen, sipas Presidentes, punonjëse të inteligjencës. Por, aty ekspozohet gjatësia e trupit, flokët, pjesë të fytyrës, veshët, përmasat trupore e të ngjashme”, shkruan Ramadani.
Ai thotë se kishte besuar se fotografia ishte publikuar nga mos dija por se pas reagimit të zyrës së Presidencës thotë se kjo është bërë me vetëdije.
“Pas reagimit të Zyrës se Presidentes, më vjen inat pse kam besuar që këtë fotografi e keni bërë nga mosdija! Tash po dëshmohet që ju kam mbivlerësuar, sepse e paskeni bërë me vetëdije. Rrjedhimisht, e paskeni bërë qëllimshëm”, ka shkruar ai.
Ndryshe ai shprehet se këto reagime po bëhen për të insistuar në detyrimet ligjore për mos-ekspozim të heroinave e heronjve të fshehtë.
“Ju edhe mund të thoni se unë jam gabim, veç pse po insistoj në detyrimet ligjore për mos-ekspozim të heroinave e heronjve të fshehtë! Tek e fundit, a mos paraqesin gjë obligimet e detyrimet ligjore për Ju”, shkroi Ramadani. /Lajmi.net/