Eksperti amerikan: Vuçiq s’ka vullnet për marrëveshje, SHBA dhe BE të punojnë “jashtë tryezës së dialogut”

Analisti amerikan Leon Hartwell ka analizuar vizitën e Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak në Kosovë dhe në Serbi si emisarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian për çështjen e dialogut. Sipas tij, opinioni ka përshtypjen se formimi i Asociacionit të Komunave Serbe, që është një nga obligimet për Kosovën sipas Marrëveshjeve të Brukselit është kusht i domosdoshëm për zgjidhje në dialog.

Lajme

05/02/2022 20:32

“Megjithatë, nuk ka asnjë provë që kjo do të kontribuonte në njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.”, tha Hartwell.

Ai gjithashtu thotë se derisa Bashkimi Evropian fajëson Kosovën për mungesën e progresit në dialog, publiku hesht për autoritarizmin gjithnjë e më të theksuar të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, transmeton lajmi.net.

“Si dhe militarizimi i përshpejtuar i Serbisë, mbështetja e pakushtëzuar për Kremlinin pavarësisht asaj që ndodhi në Gjeorgji dhe Ukrainë, mosgatishmëria për të dënuar Kinën për gjenocid kundër pakicës ujgure”, tha Hartwell, duke shtuar se stërvitjet e përbashkëta ushtarake të Serbisë me Rusinë dhe Bjellorusinë tregojnë shumë për mendësinë politike në Beograd.

Sa i përket vizitës së dy emisarëve për dialogun në Kosovë dhe Serbi, Hartwell shprehet i bindur se janë bërë me qëllimin e rifillimit të dialogut dhe kjo do të arrihet, por problemi qëndron se nuk ka rezultate të garantuara nga bisedimet.

“Megjithatë, progresi do të varet nga vullneti politik i palëve për t’i dhënë fund mosmarrëveshjeve. Unë jam i shqetësuar që ndërmjetësit kanë qasjen se çdo bisedë është më e mirë sesa kur nuk ka. Megjihtatë, kur palët negociuese takohen pa përparim të dukshëm, kjo rrezikon besueshmërinë në proces. BE dhe SHBA duhet të fokusohen në lëvizje jashtë tryezës së bisedimeve për të ndihmuar përfundimin e mosmarrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë”, tha Hartwell.

Hartwell e sheh Bashkimin Evropian si të frustruar me dialogun dhe gjithashtu thotë se arsyeja kryesore e ngërçit në dialog midis Kosovës dhe Serbisë është presidenti serb Vuçiq i cili nuk është i gatshëm të mobilizojë mbështetjen për njohjen e sovranitetit të Kosovës, transmeton lajmi.net.

“Vuçiq mund t’i japë fund mosmarrëveshjes me Kosovën nesër, nëse do të kishte vullnet për ta bërë, por nuk do ta bëjë këtë – sepse mendon se do të përfitojë prej saj. Ai duket i kënaqur me status-quo’në aktuale”, tha ai.

Ai thotë se në dialogu zbret në dy çështje themelore: sovraniteti dhe siguria – të cilat sipas tij janë të lidhura ngusht.

“Serbia ka një avantazh, sepse Kosova nuk ka shumë për të ofruar në tryezën e bisedimeve. Nëse Vuçiq do të mobilizonte publikun për të mbështetur njohjen e Kosovës, kjo do të zgjidhte të dyja çështjet, sovranitetin dhe sigurinë – dhe do të hapte derën për ndërtimin e marrëdhënieve të forta midis dy vendeve”, tha Hartwell.

Sipas tij, rreth dy të tretat e serbëve nuk e mbështesin njohjen e pavarësisë së Kosovës, megjithatë qëndrimet e serbëve sipas Hartwell janë të ndryshueshme.

“Vuçiq fshihet pas mungesës së mbështetjës në Serbi për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Nga ana tjetër, ai mund të luaj një rol transformues dhe të nxisë mbështetjën për të. Udhëheqësit e vërtetë ndërmarrin hapa të guximshëm për të mbështetur një të ardhme të ndritshme.”, tha Hartwell.

Hartwell pohon se Kosova heziton të pajtohet me formimin e Asociacionit për shkak se Gjykata Kushtetuese ka gjetur mospërputhje me Kushtetutën, por thekson gjithashtu se Kosova qëndron për demokraci multietnike dhe është e hapur për dialogun.

“Zgjidhja e mosmarrëveshjes ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është më shumë çështje politike sesa ligjore”, tha ai kur u pyet rreth një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme midis dy vendeve, duke shtuar se “nëse ka pengesa ligjore në rrugën e zgjidhjes, të dy palët, pavarësisht mosmarrëveshjes, mund të jenë të gatshme të hapen drejt një të ardhmeje paqësore dhe të begatë.”

Ai shprehet se nuk mendon që është e dobishme që BE dhe SHBA po bëjnë presion mbi palët.

“Duket se mosmarrëveshja nuk është gati për t’u zgjidhur për momentin. Mendoj se përtej tryezës së bisedimeve, duhet të punohet në zgjidhjen e pengesave në përparimin e procesit.”, tha Hartwell.

Ai theksoi në fund se nga marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë do të përfitojnë popujt e të dy vendeve dhe Ballkani do të jetë më stabil. /Lajmi.net/