Ekspertët e ekonomisë: Trendi i investimeve kapitale mbetet i ulët, mazhoranca e mohojnë
Trendi i investimeve kapitale mbetet i ulët në vendin tonë, e sipas ekspertëve të ekonomisë kjo po ndikon edhe në përformancën negative për bizneset, si dhe për rritjen ekonomike. Megjithatë për këtë ulje nuk pajtohen nga Qeveria dhe deputetët e LVV-së. Deri në shtator të vitit 2023, shkalla e investimeve kapitale ka arritur 35 për…
Lajme
Trendi i investimeve kapitale mbetet i ulët në vendin tonë, e sipas ekspertëve të ekonomisë kjo po ndikon edhe në përformancën negative për bizneset, si dhe për rritjen ekonomike. Megjithatë për këtë ulje nuk pajtohen nga Qeveria dhe deputetët e LVV-së. Deri në shtator të vitit 2023, shkalla e investimeve kapitale ka arritur 35 për qind.
Megjithatë gatë vitit 2023 niveli qendror ka realizuar investime kapitale 17 për qind, ndërsa ai lokal 22 për qind, gjithnjë duke ju referuar të dhënave të Institutit GAP për gjashtëmujorin e parë. Kështu, trendi i investimeve kapitale në pesë vitet e fundit ka shënuar rënie. Sipas këtij instituti, niveli më i ulët i shpenzimeve ka qenë në vitin 2022 me vetëm 9 për qind të investimeve kapitale ka shpenzuar niveli qendror, për dallim nga ai lokal që kishte 19 për qind.
Përveç GAP-it edhe njohës të ekonomisë thonë se trendi i investimeve kapitale ka shënuar rënie, pavarësisht se më të nuk pajtohen deputet e LVV-së dhe Qeveria.
Drejtoresha e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, Zana Beqiri thotë se fokus i qeverisë kanë qenë ndihmat emergjente dhe jo investimet kapitale. Sipas saj, rënia e tyre po ndikon edhe në përformancën e bizneseve.
Se buxheti nuk po shpenzohet në dinamiken që është paraparë me Ligjin e buxhetit e thotë kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna. Sipas tij, duhet të ketë një planifikim më të mirë të projekteve dhe një parashikim më të mirë të implementimit të shpenzimeve kapitale.
Ndërsa, këtë e kundërshtojnë mazhoranca. Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Armend Muja thotë për KosovaPress se trendi i investimeve kapitale është në rritje.
Se ka rritje të investimeve kapitale e thotë edhe zëvendës ministri i infrastrukturës, Hysen Durmishi. Sipas tij nuk ka rënie të investimeve në pesë vitet e fundit, por rritje.
Sipas një raporti të Institutit GAP për janar-qershor, gjatë vitit 2021 shpenzimi i buxhetit për investime kapitale ka qenë 19 për qind nga niveli qendror dhe 26 për qind nga niveli lokal. Gjatë vitit 2020 këto investime kanë shënuar 11 për qind në nivelin qendror, 21 për qind në nivelin lokal.
Po ashtu më 2019 investimet në nivelin qendror ishin 16 për qind, kurse në atë lokal 25 për qind. Derisa në vitin 2018 shpenzimi i buxhetit ishte 26 për qind në nivelin qendror, ndërsa në nivelin lokal 28 për qind.
Ndërsa, nga Ministria e Financave nuk janë përgjigjur për KosovaPress sa i përket shpenzimeve totale për investime kapitale më 2023.