Ekspertët e BHRC-së përmendim veprime të Trendafilovës në dëm të krerëve të UÇK-së

Ekspertët britanikë përmendin rastin kur Trendafilova largoi gjyqtarin Ambos pasi që kishte folur për mundësinë që Thaçi të mbrohej në liri. Kur një gjyqtar i Apelit në Gjykatën Speciale, Kai Ambos, foli për mundësinë që Hashim Thaçi të lirohej për mbrojtje në liri në një vend të tretë, Kryetarja e Gjykatës, Ekaterina Trendafilova, e ndryshoi…

Lajme

11/06/2026 16:36

Ekspertët britanikë përmendin rastin kur Trendafilova largoi gjyqtarin Ambos pasi që kishte folur për mundësinë që Thaçi të mbrohej në liri.

Kur një gjyqtar i Apelit në Gjykatën Speciale, Kai Ambos, foli për mundësinë që Hashim Thaçi të lirohej për mbrojtje në liri në një vend të tretë, Kryetarja e Gjykatës, Ekaterina Trendafilova, e ndryshoi panelin e gjyqtarëve. Kai Ambos u largua.

Kjo është një nga praktikat shqetësuese në një gjykatë që synon të ndajë drejtësi, e cila u përmend të enjten në Hagë nga ekspertët e organizatës “The Bar Human Rights Committee of England and Wales” (BHRC), gjatë prezantimit të raportit për Gjykatën Speciale.

Raporti i tyre, prej 90 faqesh, ka konstatuar shkelje të të drejtave të të akuzuarve në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Një tjetër aspekt shqetësues, që u përmend nga hulumtuesit Gus Waschefort dhe Lauren Lederle, ishte koha e gjatë e marrjes në pyetje nga ana e gjyqtarëve, krahasuar me kohën që u jepej palëve mbrojtëse të ish-krerëve të UÇK-së.

Kjo, sipas tyre, detyronte mbrojtjen të shpenzonte orë të tëra për të sqaruar çështje të ngritura nga gjyqtarët gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarëve.

Ndërkohë, Prokuroria shfrytëzonte vetëm pak minuta për t’iu përgjigjur çështjeve të ngritura nga gjyqtarët.

Sipas hulumtuesve, kjo nënkupton mungesë të barazisë së armëve ndërmjet palëve, një parim i garantuar nga standardet ndërkombëtare të drejtësisë.

Në konferencë, hulumtuesit e BHRC-së përmendën edhe raste kur gjyqtarët, veçanërisht Guénaël Mettraux, kanë bërë pyetje sugjestive gjatë seancave gjyqësore.

Takimi i dhjetorit 2020 mes Ekaterina Trendafilovës dhe prokurorit Jack Smith me ambasadorë të Bashkimit Evropian u cilësua nga hulumtuesit britanikë si diçka e pazakontë.

Sipas tyre, deklarimet e bëra aty lidhur me lirimin ose jo të krerëve të UÇK-së përbëjnë cenim të parimit të prezumimit të pafajësisë.

Gjatë prezantimit të raportit u konstatua po ashtu se dokumentet e siguruara nga Serbia dhe pranimi i një pjese të madhe të tyre pa një procedurë të plotë testimi dhe verifikimi kanë qenë ndër kontestimet kryesore.

Hulumtuesit theksuan se pranimi i këtyre dokumenteve është problematik, duke pasur parasysh qëndrimin e Serbisë ndaj Kosovës. Sipas raportit të BHRC-së, Prokuroria ka përdorur rreth 2354 dokumente të siguruara nga Serbia.

Në këtë konferencë në Hagë janë ftuar edhe përfaqësues të Gjykatës Speciale. Megjithatë, askush nga përfaqësuesit e saj nuk është paraqitur.

Ftesën drejtuar Gjykatës Speciale e ka konfirmuar gjatë konferencës Avokati i Popullit i Kosovës, Naim Qelaj, në fjalën e tij hapëse.

Qelaj theksoi se raporti është autentik dhe i pavarur, i hartuar nga organizata BHRC pa asnjë ndërhyrje nga institucionet e Kosovës apo nga ndonjë instancë tjetër.

Të pranishëm në këtë konferencë janë diplomatë të vendeve të Bashkimit Evropian, si dhe përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Hagë.