Ekskluzive: ‘KEDS mashtronte duke lënë qytetarët në terr, me arsyen e mirëmbajtjes së rrjetit’ (Dokument)

ZRRE përmes një hetimi preliminar ka konstatuar se KEDS-i ka mashtruar me planin e mirëmbajtes së rrjetit.

Lajme

26/11/2016 10:55

Nga: Elhami Ismajli

Plani për mirëmbajtjen e rrjetit nga KEDS-i ishte planifikuar për një periudhë të shkurtër kohore. Por KEDS-i kishte gjetur mënyrën për të aplikuar reduktime nën arsyetimin e mirëmbajtjes së rrjetit duke mos ia prishur terezinë  autoriteti që e mbikëqyr Zyra e Rregullatorit për Energji.

Por pas një periudhe të gjatë kohore, KEDS-i detyrohet t’i ndal reduktimet me arsyetimin e mirëmbajtjes së rrjetit, pasi këtë ia ka ndaluar ZRRE-ja pas një hetimi preliminar që e ka bërë me kërkesë të deputetit të LDK-së, Muhamet Mustafa, që është kryetar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri.

Hetimi preliminar nga ZRRE nxjerr që KEDS-i ka bërë një mashtrim për një periudhë kohore duke lënë në terr qytetarët për orë të tëra.

ZRRE-ja e ka njoftuar deputetin e LDK-së, përmes një shkrese që e ka siguruar lajmi.net e ku në të definohen mashtrimet e KEDS-it në 5 pika kryesore, e që në hetimin e radhës mund të zgjerohen.

ZRRE-ja në hetimin preliminar ka vërtetuar se procesi i ndërprerjeve është përcjell me parregullsi. Ka pasur mirëmbajtje të rrjetit që nuk janë realizuar kurrë, ndërsa është ndërprerë energjia elektrike dhe qytetarët kanë mbetur në terr. Ka pasur ndërprerje të shpeshta të daljeve të njëjta brenda muajit, përkundër që rrjeti ishte krejt në rregull.

“Bazuar në të gjeturat, bordi i ZRRE-së konsideron se ka bazë të mjaftueshme për dyshimin se procesi i ndërprerjeve të planifikuara është përcjell me parregullsi, dhe si rrjedhojë ka vendosur ta thelloj hetimin në lidhje me parregullsitë të cilat kanë të bëjnë me:  a. Mos përputhje në mes planeve të dërguara në ZRRE dhe planeve të publikuara. b. Mirëmbajtjet të cilat nuk janë realizuar, përkundër ndërprerjeve për këtë qëllim. c. Kohëzgjatja nga katër orë për secilën mirëmbajtje, pavarësisht natyrës së punëve që duhet të kryheshin. d. Përshkrimet jo adekuate në dokumentet përcjellëse. e. Ndërprerje e shpeshta të daljeve të njëjta brenda muajit”, thuhet në dokumentin që ZRRE e ka nxjerr për hetimin fillestar, që e ka siguruar lajmi.net.

Pas këtij konstatimi që ka nxjerr ZRRE i kërkon KEDS-it që me efekt të menjëhershëm t’i ndërpres mirëmbajtjet e rrjetit, vetëm në raste kur mirëmbajtjet janë të domosdoshme.

“Që me efekt të menjëhershëm KEDS të ndërpres përkohësisht të gjitha mirëmbajtjet e planifikuara, me përjashtim të mirëmbajtjeve të domosdoshme të cilat mund të rrezikojnë sigurinë e furnizimit me energji elektrike”, thuhet në vendim.

Ndryshe lajmi.net ka qenë mediumi i parë që ka raportuar se KEDS-i po hetohet për mundësin e mashtrimit për mirëmbajtjen e rrjetit.

Krejt kjo ka ardhur për shkak se KEDS-i dërgonte planin e mirëmbajtjes edhe në vende ku rrjeti ishte i ri madje./Lajmi.net

 

KEDS-i po hetohet nga ZRRE-ja për mundësinë e mashtrimit me planin e reduktimeve