Ekonomia gjermane më e qëndrueshme nga sa mendohej

Pandemia Corona nuk do ta dëmtojë aq shumë ekonominë gjermane sa kriza financiare në vitin 2009. Instituti Ifo pohon se pasojat e krizës megjithatë nuk janë të vogla.

Bota

23/09/2020 09:10

Ekonomia gjermane do të shënojë rënie gjatë këtij viti prej 5,2 %, vlerësojnë studiuesit gjerman nga Mynihu. Në rezultatet e prezantuara ditën e martë thuhet se parashikimet janë korrigjuar. Në verë mendohej se prodhimi bruto do të binte me 6,7 %, që do të ishte një rënie më e lartë se në vitin 2009, kur Gjermania pati shënuar ulje prej 5,7%. “Rënia ekonomike në Gjermani është më e vogël sesa që është menduar”, thonë ekspertët e Institutit për ekonomi Ifo. Ata janë më optimistë se qeveria gjermane, e cila ende në parashikimet e veta llogarit me një rënie prej 5,8 %.

“Rënia ekonomike në tremujorin e dytë dhe rimëkëmbj e tanishme janë më të favorshme sesa është menduar”, thotë shefi i ekonomistëve në institutin Ifo Timo Wollmershäuser. Por rritja ekonomike gjatë vitit të ardhshëm do të jetë më e ulët sesa mendohej. Instituti parashikon rritje prej 5,1 në vend të 6,4 % sa thuhej më parë. Ndërsa gjatë vitit 2022 parashikohet të ketë një plus prej 1,7%. “Pasiguria në parashikime është shumë e lartë, sepse askush nuk e di se si do të zhvillohet pandemia Corona, nëse do të ketë një Brexit pa marrëveshje dhe nëse do të ketë ndonjë luftë tregtare”, thotë Wollmershäuser, raporton DW.

Por recesioni ka lënë pasoja serioze. Mendohet se numri i të papunëve në Gjermani do të rritet mesatarisht nga 2,3 sa ishte vitin e kaluar në rreth 2,7 milionë në vitin 2020. Në vitin 2022 parashikohet të ketë rreth 2,5 milionë të papunë. Instituti Ifo parashikon rënie të suficitit tregtar të Gjermanisë prej 244 miliardë në 215,4 miliardë Euro. Por mendohet se suficiti në vitin 2022 do të jetë 290 miliardë Euro.

Nuk duhet të ketë veprime të pamatura

Presidenti i Ifo-s Clemens Fuest paralajmëron nga veprimet e përshpejtuara në kohën e Coronës dhe kthimin e pamenduar mirë në “zeron e zezë”, që nënkupton se Gjermania gjatë një viti nuk do të merrte borxhe të reja. Ai mendon se do të ishte gabim, nëse Gjermania kërkon një balancim tepër të shpejtë të buxhetit, pavarësisht pasojave të mundshme.

Por Fuest paralajmëron edhe për domosdoshmërinë e balancimit të buxhetit në shtigje afatmesme, sepse kjo do të ruante stabilitetin ekonomik dhe besueshmërinë ndaj politikës monetare në Gjermani, por edhe në Bashkimin Evropian.

Instituti Ifo parashikon që shteti gjerman do të jetë në minus edhe në vitin 2022. Gjatë këtij viti deficiti i shtetit do të jetë rreth 171 miliardë Euro. Në vitin 2021 parashikohet minus prej 87 miliardë, ndërsa në vitin 2022 rreth 68 miliardë Euro. Shkaku është rënia e të ardhurave nga tatimet, për shkak të krizës ekonomike në të cilën gjenden sipërmarrjet në Gjermani, por edhe paketat e ndihmave prej dhjetëra e qindra miliardë euro.