Ekipi Negociator nuk kanë qenë të informuar për takimin e fshehtë të Berlinit

Dje në Berlin të Gjermanisë është mbajtur një takim i fshehtë në mes të Kosovës dhe Serbisë, ku kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të BE-së, Francës e Gjermanisë.

Lajme

20/06/2019 19:10

Kosova është përfaqësuar në këtë takim nga ambasadori i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Avni Arifi, shefi i kabinetit të kryeministrit Ramush Haradinaj Selim Selimi dhe ish-avokati i Haradinajt, Michael O’Riley, shkruan lajmi.net.

Lajmi.net nga burimet vendore dhe ndërkombëtare ka raportuar se në këtë takim është diskutuar për formimin e asociacionit të komunave serbe me kompetenca ekzekutive ku edhe është arritur marrëveshje.

Ekskluzive: Darkë e fshehtë në Berlin për Asociacionin me kompetenca ekzekutive

E për këtë takim nuk ka qenë i informuar as shefi i delegacionit të Kosovës për bisedime me Serbinë, Shpend Ahmeti.

Ahmeti këtë e ka thënë në një prononcim për lajmi.net ku është shprehur se as si delegacion e as si kryetar i Partisë Social-Demokrate nuk ka qenë i informuar.

“Nuk kam pas informatë nga Qeveria as si delegacion, as si kryetar i PSD-së. Nuk e di qëllimin e as agjenden e takimit e poashtu as kush e ka ftuar këtë takim”, tha Ahmeti për lajmi.net.

Në anën tjetër, Avni Arifi në një prononcim për lajmi.net është shprehur se atje kanë diskutuar për rifillimin e dialogut nga ku ka ngecur duke mohuar të jetë biseduar për Asociacionin e Komunave Serbe. /Lajmi.net/