Edi Rama: Shkarkim i menjëhershëm për Vlora Hysenin nga SHISH, sapo të kthehem në Tiranë do të zgjedhim drejtuesin e ri
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka reaguar me anë të një postimi në “X” për masat e vendosura ndaj kreut të SHISH, Vlora Hyseni. Në reagimin e tij, ai ka paralajmëruar shkarkim të menjëhershëm nga detyra për Hysenin, ndërsa në momentin që ai do të kthehet në Tiranë, do të zgjidhet dhe kreu i ri…
Lajme
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka reaguar me anë të një postimi në “X” për masat e vendosura ndaj kreut të SHISH, Vlora Hyseni.
Në reagimin e tij, ai ka paralajmëruar shkarkim të menjëhershëm nga detyra për Hysenin, ndërsa në momentin që ai do të kthehet në Tiranë, do të zgjidhet dhe kreu i ri i SHISH.
Rama momentalisht ndodhet në Nju Jork, në Asamblenë e Përgjithshëm të OKB-së.
Prokuroria e Posaçme në Shqipëri sot ka kërkuar që drejtoresha e Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), Vlora Hyseni, të pezullohet nga detyra dhe të vendoset në arrest shtëpiak, në kuadër të një hetimi për dosjen e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Sipas informacioneve të para Hyseni është përfshirë në hetimin që lidhet me biznesmenin Ergys Agasi, një prej personave kyç të dosjes së AKSHI-t, i cili është arrestuar pak kohë më parë.
Arrestin shtëpiak dhe masën e pezullimit të punës e ka konfirmuar edhe SPAK-u përmes një njoftimi publik, transmeton lajmi.net.
Vlora Hyseni është veçanërisht e njohur në Kosovë, pasi para se të merrte drejtimin e SHISH-it në Shqipëri, kishte mbajtur një pozitë të lartë në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI).
Ajo ishte zëvendësdrejtoreshë e AKI-së nga viti 2019 deri në qershor të vitit 2021, kur u shkarkua nga detyra nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.
Reagimi i Edi Ramës:
Për shkak të orareve të ndryshme ky reagim nga Nju Jorku, ku jam për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, mund të duket i vonuar dhe ndjesë për këtë.
Jam informuar lidhur me masën e arrestit shtëpiak që SPAK-u ka nxjerrë për drejtoren e Shërbimit Informativ të Shtetit, e pres që çdo dyshim i organit të akuzës të hetohet dhe zbardhet deri në fund përmes procesit të pavarur gjyqësor.
Përtej respektit për punën dhe për personin e Vlora Hysenit, si edhe po ashtu përtej vlerësimeve të vazhdueshme, që ajo ka marrë nga agjencitë partnere si drejtuese e shërbimit inteligjent shqiptar, rruga pa kthim që kemi zgjedhur është rruga e pavarësisë së organeve të drejtësisë për të hetuar e gjykuar këdoqoftë, pavarësisht statusit social apo funksionit publik.
Por po ashtu, është e pashmangashme mesa duket, që çdo hetim apo masë e marrë nga drejtësia në adresë të personave publikë, të kthehet në një motivim për të grirë mish njeriu në mexhelisin politik e mediatik dhe për të thirrur “litarin” si në sheshet e ekzekutimit mesjetar, kohë përpara sesa gjykata të thotë fjalën e saj.
E megjithatë, kurrësesi nuk mund të jetë e vërtetë që veprimet e pavarura të drejtësisë dhe afirmimi i vijueshëm i barazisë para ligjit, të jenë njëkohësisht akt-akuza kundër pikërisht një shumice qeverisëse e cila me kurajo e me vendosmëri, ia ka çelur rrugën drejtësisë së pavarur, në një vend ku deri para shumë pak vitesh kjo pavarësi ishte e paimagjinueshme prej shekujsh.
As mund të jenë këto zhvillime me drejtësinë baltë kundër Shqipërisë, e cila po bën në rrugën e saj të bashkimit me Europën shumëçka që as nuk mund të imagjinohet akoma në vendet e tjera të rajonit dhe që koha do ta çmojë më mirë se sa kushdo.
Çdokush është i pafajshëm deri në gjykimin përfundimtar po askush nuk është mbi ligjin në asnjë rast e për asnjë arsye, kështu që unë i jam falenderues Vlora Hysenit për çdo gjë që ka bërë si duhet në shërbim të Shqipërisë, ndërsa për gjithçka tjetër që ka të bëjë me çështjen e sapohapur nga organet e drejtësisë, qëndrimi im mbetet po ai i ditës së parë të Reformës në Drejtësi:
Pafajësia ose fajësia e një bashkëpunëtori të vendosur nën akuzë është një çështje individuale përballë prokurorisë e gjykatës dhe kjo shumicë qeverisëse me mua në krye, i mbetet besnike këtij qëndrimi duke mos hyrë në meritën e asnjë çështjeje të drejtësisë dhe duke mos bërë avokatinë e askujt që përballet me drejtësinë.
Lirimi nga detyra i drejtores së shërbimit është i menjëhershëm, e sapo të kthehem në Tiranë dhe në konsultim me Presidentin e Republikës, do të zgjedhim drejtuesin e ri të Shërbimit Informativ të Shtetit./Lajmi.net/