Edhe zyrtarisht konfirmohet se kodi telefonik i Kosovës është +383

Në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur sot për media, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa së bashku me ministren për Dialog Edita Tahiri kanë folur për marrëveshjet e arritura në Bruksel, në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Lajme

28/08/2015 19:23

Këta të fundit edhe zyrtarisht kanë pranuar sot se kodet telefonike ekzistuese 381, 377, 386 do të kalojnë në 00383, raporton lajmi.net.

Ata treguan se Austria do të aplikoj në emër të Kosovës dhe kodi 383 sipas tyre do të jetë pronë e Republikës së Kosovës.

Po ashtu gjatë mbledhjes së Qeverisë u bë e ditur se sa i përket marrëveshjes për energjinë, ata kanë vlerësuar se kjo marrëveshje rikonfirmon kufirin  energjetik të Kosovës me Serbinë, dhe sipas tyre, është kufi ky i përcaktuar me marrëveshjen e Brukselit për energjinë.

Madje than se marrëveshja i jep fund çfarëdo ndërhyrje apo pretendimi të Serbisë ndaj sistemin energjetik të Republikës së Kosovës

“Prapë, sipas llogarive të përafërta që janë bërë nga ekspertët që mbulojnë këtë fushë,  përfitimet e drejtpërdrejta do të jenë 25 milionë euro në vitin e parë pasi të implementohet marrëveshja në tërësi, dhe në vitet në vijim do të kemi çdo vit nga 5 milionë euro përfitim të drejtpërdrejt si rezultat i zbatimit të kësaj marrëveshje. Ndërkaq, përfitimet e tërthorta do të jenë 20 milionë euro për vitin e parë dhe rreth 8 milionë euro për çdo vit në vazhdim, që për kushtet tona flitet për mjete shumë të rëndësishme financiare, që ne, përpos pjesës politike, i kemi arrit me këto marrëveshje”, thuhet në komunikatën për media, nga zyra e kryeministrit./lajmi.net