Edhe Wilfried Zaha reagon për racizmin në futboll
Futbolli është duke vuajtur jashtëzakonisht shumë nga problemet me racizmin.
Sport
Ky fenomen është problematik sidomos në Premierligë dhe në Serie A, kur lojtarët shpeshherë kanë qenë viktimë e fyerjeve raciste.
Lojtarët si Raheem Sterling në Premierligë, Moise Kean në Serie A dhe Danny Rose në Podgoricë gjatë ndeshjes kualifikuese për Euro 2020 janë disa nga rastet e fundit që janë përballur me këtë fenomen.
Krejt së fundmi, ishte Wilfried Zaha që u quajt ‘majmun që shtiret’ nga një tifoz i Newcastle United, por lojtari është sulmuar edhe në rrjetet sociale nga tifozë të Championship.
Këto ngjarje kanë nxitur reagime të mëdha, me disa trajnerë që kanë propozuar tërheqjen e skuadrave nga fusha e blertë në rast se dëgjohen fyerje raciste, por edhe Zaha ka reaguar.
“Për të gjithë njerëzit që janë racist dhe dëshirojnë vdekjen e familjes sime, ju dëshiroj të gjitha të mirat edhe familjeve tuaja” ka shkruar Zaha në ‘Instagram’ transmeton lajmi.net.
“Jeta ime është akoma e bukur, pa marrë parasysh urrejtjen e juaj” ka shkruar tutje ai.
Federatat e Futbollit në të gjitha vendet evropiane po punojnë për ta luftuar këtë fenomen, i cili po bëhet ‘kancer’ për futbollin. /Lajmi.net/