Edhe një tender për kompaninë e familjes së Sylejman Selimit

Ministri në largim, Pal Lekaj ditëve të fundit është lëshuar në një aksion për përurimin e punimeve të ndryshime. Mjafton të ndizët një bager dhe ministri është aty.

Lajme

25/07/2019 16:37

Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit Pal Lekaj, të enjten mori pjesë në fillimin e punimeve në dy projekteve të reja në Klinë. Bëhet fjalë për ndërtimin e rrugëve Ujmirë -Jashanicë dhe rrugën Siqevë – Aaqrevë. Të dy këto projekte financohen nga ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, nëpërmjet memorandumit të mirëkuptimit me komunën e Klinës. Projektet janë tenderuar nga komuna e Klinës që udhëhiqet nga AAK-ja.

Lajmi.net ka gjetur se fitues i tenderit Aqarevë- Siqevë është kompania “Mirusha Company”, e cila është në pronësi të familjes së Sylejman Selimit, ish-këshilltarë i Ramush Hardinaj.

Në fakt, kontrata për këtë tender është nënshkruar me grupin e kompanive “Mirusha Company” dhe “Infra-Plus” SH.P.K

Vlera e përgjithshme e kontratës është 384.124,34 euro. Kjo ofertë ka qenë rreth 2 mijë euro më lirë se oferta e dytë më e përgjegjshme e grupit të kompanive “Guitebardhi & Asfalt Group” me ofertë 386.071. 51 euro.

Gjatësia e rrugës Aqarevë-Siqevë, sipas dosjes se tenderit është 7.8 kilometra. Ndërsa, vlen të theksohet se familja e ish-komandantit të UÇK-së, Sylejman Selimi vjen nga fshati Aqarevë i Komunës së Skenderajt. Fshati Siqevë është në Komunën e Klinës.

Megjithëkëtë, kompania “Mirusha” ka fituar edhe tender të tjerë në Komunën e Klinës, Skenderajt e Pejës. Por, tenderi më i madhi i nënshkruar me institucionet publikë është ai për realizimin e një pjesë në zgjerimin e rrugës Gjakovë-Dollëc.

Lajmi.net ditë më parë ka raportuar se në ditën që u lirua Selimi nga detyra e këshilltarit të Haradinajt (3 qershor),  firma “Mirusha Company” që u shpallë fituese e një pjesë të tenderit “Zgjerimi i rrugës nacionale N 9.1, segmenti Dollëc-Gjakovë , L=31.00 ”. Më pas, ministria lidhi kontratë me të.

Ky tender kishte të bënte për lot 2 dhe “Mirusha” pritet të fillojë punët me kompaninë në konsercium “Geci & Rahovica” me çmim prej  6,99, 494.05 euro. /Lajmi.net/