Arrestohet në Mutivodë shtetasi i Kosovës, Osman Selmani – Serbia e akuzon se e ka vrarë një çift serb në Sofali të Prishtinës gjatë luftës
Një shtetas i Kosovës, Osman Selmani, është arrestuar nga autoritetet serbe në pikëkalimin kufitar të Mutivodës, gjatë kthimit nga vendlindja e tij, nën dyshimet për krime lufte. Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë njoftoi se arrestimi është kryer për shkak të dyshimeve se Selmani ka qenë i përfshirë në vrasjen e një çifti serb…
Lajme
Një shtetas i Kosovës, Osman Selmani, është arrestuar nga autoritetet serbe në pikëkalimin kufitar të Mutivodës, gjatë kthimit nga vendlindja e tij, nën dyshimet për krime lufte.
Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë njoftoi se arrestimi është kryer për shkak të dyshimeve se Selmani ka qenë i përfshirë në vrasjen e një çifti serb në qershor të vitit 1999, transmeton lajmi.net.
“Ekzistojnë dyshime të bazuara se më 14.06.1999, në vendin Sofali, Prishtinë, në bashkëkryerje me disa pjesëtarë të UÇK-së, me armë të ftohta dhe armë zjarri, në mënyrë mizore dhe tinëzare, ua ka marrë jetën civilëve të nacionalitetit serb, çiftit bashkëshortor Vlladimir dhe Persa Stanisavljeviq”, thuhet në njoftimin e MPB-së serbe.
Autoritetet serbe bënë të ditur se ndaj O.S., i lindur në vitin 1953, Gjykata e Lartë në Beograd ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
Në njoftim nuk specifikohet nëse i dyshuari ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Pas arrestimit në Mutivodë, Selmani është dërguar në Prokurorinë për Krime Lufte në Beograd, ku po mbahet në procedurë hetimore.
Ndërkohë, familjarët e Osman Selmanit kanë mohuar kategorikisht akuzat ndaj tij, duke i cilësuar ato si të pabazuara dhe të pavërteta.
“Ne besojmë në pafajësinë e tij dhe do të qëndrojmë pranë tij deri në zbardhjen e plotë të së vërtetës”, thuhet në reagimin e familjes.
Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës për të marrë informacione lidhur me rastin, por deri më tani nuk ka pasur përgjigje.
Vitet e fundit, autoritetet serbe kanë arrestuar në disa raste shtetas të Kosovës nën dyshimet për krime lufte të kryera gjatë konfliktit të viteve 1998–1999. Serbia gjatë viteve ’90 e konsideronte UÇK-në organizatë terroriste, ndërsa në Kosovë UÇK-ja vlerësohet si organizata që mbrojti popullsinë vendase nga represioni i forcave të armatosura jugosllave./lajmi.net/