Çmenduri me biletat për Meksikë – Angli, njëra shitet mbi 34 mijë dollarë
Interesimi i jashtëzakonshëm për ndeshjen mes Meksikës dhe Anglisë në Kupën e Botës ka bërë që çmimet e biletave të shpërthejnë në platformën zyrtare të rishitjes së FIFA-s. Sipas BBC-së, numri i biletave të nxjerra në rishitje është rritur nga 63 në 76 vetëm brenda një periudhe të shkurtër, ndërsa çmimet kanë arritur nivele rekord,…
Sport
Interesimi i jashtëzakonshëm për ndeshjen mes Meksikës dhe Anglisë në Kupën e Botës ka bërë që çmimet e biletave të shpërthejnë në platformën zyrtare të rishitjes së FIFA-s.
Sipas BBC-së, numri i biletave të nxjerra në rishitje është rritur nga 63 në 76 vetëm brenda një periudhe të shkurtër, ndërsa çmimet kanë arritur nivele rekord, transmeton lajmi.net.
Bileta më e shtrenjtë e listuar kushton plot 34.500 dollarë. Në kategorinë Supporter Premier, çmimet lëvizin kryesisht nga 6.000 deri në 9.000 dollarë, ndërsa më e shtrenjta arrin në 17.250 dollarë.
Edhe në kategorinë Supporter Standard shumica e biletave shiten nga 6.000 deri në 8.000 dollarë, por njëra prej tyre është listuar me çmimin marramendës prej 34.500 dollarësh.
Në kategorinë Supporter Value, biletat kushtojnë kryesisht nga 4.000 deri në 6.000 dollarë, ndërsa një biletë është në shitje për 23.000 dollarë.
Çmime të ngjashme janë regjistruar edhe për biletat në sektorët e tjerë të stadiumit Azteca, duke dëshmuar kërkesën e jashtëzakonshme të tifozëve për këtë përballje.
Takimi mes Meksikës dhe Anglisë do të zhvillohet të hënën, duke nisur nga ora 02:00 sipas kohës së Kosovës, dhe konsiderohet një nga ndeshjet më tërheqëse të këtij Botërori./lajmi.net/