Edhe Mustafa demanton Jahjagën

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë që në takimin me presidentet Atifete Jahjaga dhe zëvendëskryeministrin Hahshim Thaçi nuk u diskutua për Gjykatën Speciale.

Lajme

29/05/2015 20:18

Një konfirmim të tillë kryeministri Mustafa e ka bërë për Radio Televizionin e Kosovës duke thënë që deklarata e Ministrisë së Punëve të Jashtme që përgënjeshtronte presidencën ishte e vërtetë.

Takimi mes presidentes së vendit, Atifete Jahjagës, kryeministrit Isa Mustafa dhe kryediplomatit, Hashim Thaçi mbrëmë u përcoll me dy deklarata kontroverse.

Ne deklaratën e lëshuar nga Presidenca, thuhej se në këtë takim u diskutua për amendamentet që hapin rrugë Gjykatës Speciale, ndërsa këtë pakë orë më vonë e hodhi poshtë Ministria e Punëve të Jashtme.

Në deklaratën për medie të lëshuar në emrin e Hashim Thaçit, u tha se nuk ishte e vërtet që u fol për amendamentet e Gjykatës Speciale, por në këtë takim sipas komunikatës së diplomacisë kosovare, u fol se kush duhet ta përfaqësoj Kosovën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Por, RTK konfirmon se kryeministri që ishte palë e tretë në këtë takim, mban anën e zëvendësit të tij, Thaçit, duke thënë se deklarata e MPJ-së ishte e vërteta.