“Edhe motra, edhe vajza ime duhet të konkurrojnë diku” – Flet prokurori Tmava për lidhjet e familjarëve të tij me pushtetin
“Edhe motrat e mia, edhe vajza ime duhet të konkurrojnë diku”. Kështu ka thënë prokurori Sahit Tmava, i cili sot lëshoi urdhëresë për vazhdimin e numërimit të votave në Mitrovicë, pasi u pyet nga VOX Kosova nëse ka konflikt interesi në këtë rast, duke qenë se motra e tij, Remzije Tmava Tupella, ka qenë kandidate…
Lajme
“Edhe motrat e mia, edhe vajza ime duhet të konkurrojnë diku”.
Kështu ka thënë prokurori Sahit Tmava, i cili sot lëshoi urdhëresë për vazhdimin e numërimit të votave në Mitrovicë, pasi u pyet nga VOX Kosova nëse ka konflikt interesi në këtë rast, duke qenë se motra e tij, Remzije Tmava Tupella, ka qenë kandidate për asambliste nga radhët e Vetëvendosjes në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
“Remzije Tmava është motra ime. Ka qenë kandidate për asambliste”, theksoi ai, duke mos pranuar më të flasë nëse e konsideron si konflikt interesi faktin që është caktuar prokuror i rastit.
Tmava u pyet edhe për raportimet e gazetarit Adil Behramaj, i cili publikoi një dokument, përmes të cilit pretendonte që vajza e prokurorit, Aida Tmava Shabani, ishte punësuar në Ministri të Bujqësisë gjatë kohës sa Faton Peci ka qenë në krye të këtij dikasteri, i cili ishte kandidat i VV-së për Kryetar të Mitrovicës.
Por, ai e mohoi se vajza e tij është punësuar në ministrinë që drejtohet Peci, kandidat i VV-së për Kryetar të Mitrovicës.
“S’është e vërtetë që është punësuar. Aida Tmava Shabani është vajza ime. Ka konkurruar në Ministrinë e Drejtësisë, por nuk u pranua. Ka bërë ankesë, dhe ankesa ende nuk është shqyrtuar. Nuk është pranuar. Po të garantoj që s’u pranu. E ka bërë ankesën, por ende nuk është shqyrtuar”, tha Tmava.
Më pas, Prokurori refuzoi që të vazhdonte bisedën me VOX-in, pasi konsideroi që i dha të gjitha përgjigjet.
“A t’i dhashë këto informata deri tani? Edhe është e mbyllur tani, a është apo s’është, mundesh ta vërtetosh edhe vetë”, ka thënë Tmava, ndërkohë që, i nervozuar, e ka mbyllur telefonin.