Edhe Kosova dhe Shqipëria të prekura nga tkurrja e popullsisë

Shqipëria dhe Kosova, por edhe shtete të tjera të Ballkanit janë prekur nga fenomeni i tkurrjes së popullsisë. Jo vetëm emigracioni është tregues i kësaj, por vitet e fundit si një problem madhor është evidentuar edhe rënia e lindshmërisë. 

Lajme

09/08/2014 20:18

Sipas një studimi të Open Data Albania, rënia e lindjeve ndikohet shumë edhe nga politikat e mbështetjes sociale që ofron secili shtet për nënat më fëmijë.

Në këtë drejtim Kosova dhe Shqipëria kanë shumë mangësi pasi nuk e favorizojnë një nënë të punësuar, si përsa i përket sigurisë në punë ashtu edhe lejes së lindjes. Aranita Brahaj drejtoreshë ekzekutive e Open Data Albania thotë se në këtë drejtim gratë shqiptare kanë shumë pak përfitime nga leja e lindjes, si për sa i përket ditëqëndrimit ashtu edhe masës së përfitimit në lekë nga paga.

Për më tepër punëdhënësit i ‘diskriminojnë’ gratë me fëmijë, duke mos preferuar t’i punësojnë për shkak se mendojnë se kostoja është e lartë, bie rendimenti i punës, ndaj dhe biznesi i tyre nuk ka përfitime.

“Shqipëria dhe Kosova janë në një nivel pak më negativ se vende të tjera si Maqedonia, Mali i Zi apo Kroacia të cilat gjatë periudhës së leje lindjes gruan e paguajnë në sasinë 100 % të pagës që ka patur në momentin që ka marrë këtë leje lindje, ndërkohë që Serbia është ajo që e paguan me 106 % të pagës. Në rastin e Shqipërisë kjo masë është në vlerën 65 % ndërsa Kosova e ka më të ulët, 63 %. Në rastin e Kosovës kjo pagesë ndahet mes punëdhënësit dhe shtetit, ku më shumë paguan punëdhënësi. Është unik Kosova në këtë drejtim pasi këtë lloj skeme e aplikojnë vetëm vende të fuqishme si Gjermania dhe Britania e Madhe. Ky parashikim ligjor krijon defekte, për shkak se punëdhënës të cilët nuk janë ende shumë të konsoliduar, nuk mund të përballojnë kosto të larta të mbajtes në punë të një individi (nënë me fëmijë) dhe do të preferojnë të punësojnë gra që nuk marrin leje lindje, ose vajza të reja që nuk janë të martuara apo persona të gjinisë tjetër pra meshkuj,” analizon situatën Aranita Brahaj, drejtoreshë e Open Data Albania.

Sipas Open Data Albania mbrojtja ligjore që është dhënë nga Kodi i Punës i Kosovës, është jo cilësore pasi nuk jep siguri në punë për gratë, të cilat detyrohen nga ana tjetër të lindin më pak fëmijë, gjë që ndikon më tej në uljen e numrit të popullsisë të secilit shtet.

“Shtete të vogla të Ballkanit qoftë Shqipëria, Kosova, Bosnja apo Mali i Zi janë vende që vitet e fundit kanë filluar të preken nga ajo që quhet tkurrje e popullsisë apo pakësimi i numrit të lindjeve. Duhet pasur parasysh se ne jemi të prekur nga emigracioni, pra një pjesë e popullsisë është ndarë nga shteti amë, qoftë ky Kosova apo Shqipëria dhe është larguar drejt emigracionit. Rasti i Shqipërisë ne kemi pasur një tkurrje rreth 30 % të popullsisë, pretendohej që popullsia e Shqipërisë kishte shkuar rreth 4 milionë banorë, ndërkohë që Censusi i fundit tregoi që ne ishim më pak se 3 milionë, ishim 2.8 milionë. Të njëjtën gjë shohim pas 2009-ës edhe në Republikën e Kosovës. Duket sikur numri i fëmijëve për çdo nënë në moshë riprodhuese është ulur dhe nuk është më numri i dikurshëm, çka në njëfarë mënyrë bashkë me emigracionin, do të jap efekte negative në demografinë e këtyre shteteve në të ardhmen,” tha Aranita Brahaj. 

Referuar studimeve të ndryshme demografike nëse më parë çiftet e reja lindnin më shumë se dy fëmijë, sot preferojnë të kenë vetëm një fëmijë apo maksimumi dy fëmijë.

Pikërisht kushtet ekonomike dhe ndryshimi i stilit të jetesës janë arsye sipas sociologëve që kanë ndikuar në uljen e lindshmërisë, dhe tkurrjen e numrit të popullsisë. 

Megjithatë Open Data Albania me studimin e saj kërkon të përcjellë mesazhin se qeveria në këtë drejtim duhet të ndjek politika favorizuese dhe jo diskriminuese për gratë, siç është për shembull rasti i Serbisë e cila e paguan një grua gjatë lejes së lindjes me 106 % të pagës së saj. Sipas statistikave zyrtare, censusit të fundit Shqipëria ka 2.8 milionë banorë, ndërsa Kosova më pak se 2 milionë, rreth 1 milionë e 739 mijë banorë. (Kosovapress)