Edhe Hamza i përgjigjet ftesës së Kurtit: Nuk kemi se si takohemi para 31 marsit, Gjykata vendosi masë të përkohshme

Edhe nga PDK-ja i janë përgjigjur ftesës së kryeministrit Albin Kurti për takim. Nga kjo parti e falënderuan Kurtin, por thanë se s’kanë se si takohen pasi Gjykata Kushtetuese veçse vendosi masë të përkohshme. “Partia Demokratike e Kosovës e falënderon kryeministrin Albin Kurti për ftesën për takim dhe rithekson se mbetet e hapur për komunikim…

Lajme

13/03/2026 15:58

Edhe nga PDK-ja i janë përgjigjur ftesës së kryeministrit Albin Kurti për takim.

Nga kjo parti e falënderuan Kurtin, por thanë se s’kanë se si takohen pasi Gjykata Kushtetuese veçse vendosi masë të përkohshme.

“Partia Demokratike e Kosovës e falënderon kryeministrin Albin Kurti për ftesën për takim dhe rithekson se mbetet e hapur për komunikim dhe dialog politik sa herë që kjo i shërben stabilitetit institucional dhe interesit të vendit.Megjithatë, në rrethanat aktuale, duke pasur parasysh se Gjykata Kushtetuese ka vendosur Masë të Përkohshme që pezullon procesin e zgjedhjes së Presidentit dhe çdo veprim të mëtejshëm të Kuvendit në këtë drejtim, PDK vlerëson se është e domosdoshme të pritet vendimi përfundimtar i Gjykatës, i cili pritet deri më 31 mars dhe që do të qartësojë hapat e mëtejmë institucionalë”,thuhet në reagim.

Tutje u tha se Partia Demokratike e Kosovës beson se respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe i procedurave institucionale është mënyra më e përgjegjshme për të garantuar stabilitet politik dhe institucional në vend.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti deklaroi se vendi s’ka pse të shkojë në zgjedhje, pasi çështja e presidentit duhet zgjidhur bashkë me opozitën.

Kurti përmes një prononcimi për media nga QKUK ka thënë se vendi nuk ka nevojë për zgjedhje të reja, duke theksuar se stabiliteti institucional duhet të jetë prioritet dhe se zgjidhja duhet të gjendet përmes dialogut me partitë opozitare.

“Së pari unë kam zhvilluar tri takime me kryetarin e LDK-së dhe dy takime me kryetarin e PDK-së, fatkeqësisht në 48 orët e fundit para se të mbërrinte mesnata e 5 marsit nuk patë asnjë takim, mendoj që kjo ka qenë dëm dhe gabim. Është dashur të takohemi edhe në 48 orët e fundit. Vetëm kur u bë e pamundur figura konsensuale dhe vetëm kur PDK kërkoi që ne të sigurojmë votat për të dy kandidatët e saj pa na i treguar fare emrat neve. Më pak se 30 orë para mesnatës së 5 marsit ne nxorëm emrin e Glauk Konjufcës. Sërish pritëm dhe vetëm 3 orë para mesnatës së 5 marsit e nxorëm dhe emrin e Fatmire Kollçakut. Besoj që me krerët e partive opozitare duhet të takohemi. Qysh sot do të ju çoj ftesa për tu takuar në fillim të javës së ardhshme”, ka thënë Kurti./Lajmi.net/