Edhe Belgjika si Danimarka, do një burg në Kosovë
Ndërsa qeveria belge po shqyrton opsionet për të zgjeruar kapacitetin e burgjeve jashtë vendit, Kosova po shfaqet si një vend potencial. Ministrja e Drejtësisë e Belgjikës, Annelies Verlinden konfirmoi se diskutimet janë duke vazhduar, megjithëse vende të tjera po konsiderohen gjithashtu. Agjencia belge e lajmeve “Belga” ka raportuar se qeveria federale e Belgjikës po shqyrton…

Lajme
Ndërsa qeveria belge po shqyrton opsionet për të zgjeruar kapacitetin e burgjeve jashtë vendit, Kosova po shfaqet si një vend potencial.
Ministrja e Drejtësisë e Belgjikës, Annelies Verlinden konfirmoi se diskutimet janë duke vazhduar, megjithëse vende të tjera po konsiderohen gjithashtu.
Agjencia belge e lajmeve “Belga” ka raportuar se qeveria federale e Belgjikës po shqyrton nëse do të marrë me qira apo të ndërtojë ambiente burgjesh në një vend tjetër evropian për të strehuar shtetas të huaj që vuajnë dënimin në Belgjikë.
Nisma synon të trajtojë mbipopullimin e burgjeve dhe të sigurojë që më shumë dënime të zbatohen në mënyrë efektive.
Ministrja Verlinden i tha parlamentit të mërkurën se “Kosova është një opsion serioz”. Megjithatë, ajo vuri në dukje se përshtatja e objekteve me standardet evropiane do të kërkonte kohë.
Siç shkruan “Belga”, kostoja e vlerësuar e një marrëveshjeje të tillë për Belgjikën do të ishte gjithashtu e lartë: 202 milionë euro për dhjetë vjet.
Danimarka veçse ka arritur një marrëveshje me Kosovën në vitin 2022 për të marrë me qira 300 qeli burgu atje.
Ministrja Verlinden tha se tashmë po zhvillohen diskutime me departamentet federale të Migracionit dhe Azilit për të përshpejtuar transferimin e të burgosurve të huaj.
Ajo theksoi gjithashtu përpjekjet më të gjera për riatdhesimin e shtetasve të huaj të dënuar dhe se janë planifikuar vizita diplomatike në Marok, Algjeri, Tunizi dhe Shqipëri për të forcuar bashkëpunimin për kthimin e të burgosurve.
Propozimi që të burgosurit të dërgohen në Kosovë, “Belga” shkruan se përputhet me një shtytje më të gjerë për të trajtuar krimin e organizuar dhe mbipopullimin e burgjeve në Belgjikë.
Burgjet në Belgjikë aktualisht mbajnë rreth 13,000 të burgosur, pavarësisht se kanë një kapacitet zyrtar prej 11,040.
Planet e ministres Verlinden përfshijnë gjithashtu mbajtjen e burgjeve të vjetra të hapura për një periudhë më të gjatë, shtimin e qelive të përkohshme modulare dhe përmirësimin e sigurisë së burgjeve për të frenuar aktivitetin kriminal pas hekurave.