E vërteta e deklaratës së Anton Berishës për Burundin. Lajmi.net sjellë incizimin e bisedës /AUDIO

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Anton Berisha mohon të ketë deklaruar se është e parëndësishme njohja nga Republika e Burundit, edhe pse vet ai kishte deklaruar se “nuk ka asnjë peshë njohja apo mosnjohja nga Burundi”.

Lajme

03/03/2018 23:28

Berisha kishte deklaruar se nuk ka peshë njohja nga shteti i Burundit, duke nënvlerësuar një shtet me mbi 10 milionë banorë, i cili tashmë po shqyrton tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës.

“Nuk ka asnjë peshë as njohja as mos njohja e Burundit, besoj që Serbia do të bëjë tema të kësaj natyre që me kontestu Pavarësinë e Kosovës. Jemi në Pavarësi, në ditë feste ajo merr një shtet herë Burundi e herë Guineja Bisau edhe bën kësi tema të kota, ata veç po e riciklojnë temën”, kishte deklaruar Berisha për portalin lajmi.net, më 17 shkurt.

Lajmi.net e posedon edhe incizimin e bisedës së plotë me zv/ministrin Berisha ku ai qartazi thotë se njohja apo mosnjohja nga Burundi nuk çon peshë për Kosovën.

Deklarata e plotë:

YouTube player

Ndërkaq, zv/ministri Berisha ka deklaruar sot se kurrë nuk ka thënë se është e parëndësishme njohja nga Burundi, pavarësisht se intervista e tij për portalin Lajmi.net tregon të kundërtën.

“Shkrimet e porositura kinse për deklaratën time se i trajtoj të parëndësishme njohjen e ndonjë shteti janë tendencioze dhe qëllimkqija. Renditja e prioriteteve si një vend evropian dhe fokusimi i energjisë në shtete me peshë duhet të jetë interesi i politikës së jashtme”, ka thënë sot zv/ministri Berisha.

“Ajo nuk zhvlerëson asnjë njohje dhe unë asnjëherë nuk kam deklaruar se njohja e ndonjë shteti është e parëndësishme. Është e kundërta, që çdo shtet që na ka njohur meriton falënderimin dhe respektin”, ka thënë zv/ministri i Jashtëm.

E në një letër që Ambasadori i Republikës së Burundit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), Albert Shingiru u ka dërguar kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj dhe kryediplomatit Ramush Haradinaj, ai shprehet se deklaratat e tilla të zv/ministrave kosovarë do t’ia komplikojnë punët zyrtarëve të Burundit që janë pro Kosovës.

“Jam duke punuar rreth çështjes së njohjes së Kosovës në Burundi. Nuk është e lehtë sepse serbët u kanë ofruar shumë gjëra atyre. Por lajmi që ne kemi pranuar nga misioni serb, se zëvëndësministri i juaj i Punëve të Jashtme ka thënë se nuk është me rëndësi njohja nga Burundi, do të më komplikojë punët”, theksohet në letrën që Shingiru u ka dërguar Haradinajt dhe Pacollit. /Lajmi.net/