E rrallë: Komuna e Prishtinës investon 150 mijë euro në Istog, ia huq projektit

Për Shtëpinë e të Moshuarve në Istog u nda një shumë e konsiderueshme parash, jo nga Komuna e Istogut por nga një shumë larg saj. Buxheti prej 150 mijë eurosh për renovimin e kësaj shtëpie u miratua nga Komuna e Prishtinës, madje edhe pse larg nga territori i saj, këtë pronë e konsideroi të vetën. Por, kjo po del të jetë gabim, shkruan lajmi.net.

Lajme

23/05/2021 19:09

Komuna e Prishtinës ndau paratë për renovimin e kësaj shtëpie, derisa idea dhe projekti ishte për një pronë tjetër, por që prapë gjendet në territorin e komunës së Istogut.

“Renovimi i pushimores për të moshuar në Istog (pronë e Komunës së Prishtinës)”, u emërtua projekti që realisht ishte për objektin e Shoqatës së Pensionerëve.

Edhe pse objekti gjendet në Banjë të Istogut, Shoqata e Pensionistëve nuk ka bërë kërkesë për investim në Komunën e Istogut, por direkt në atë të Prishtinës.

E, kjo bënë që për herë të parë një komunë të bëjë investime në territorin e një komune tjetër.

Drejtori i Mirëqenies në Komunën e Prishtinës, Dren Kukaj thotë se ky investim po bëhet duke qenë se ka kushte financiare.

“Në diskutime sipër, tash e  dy vjet e kemi një kërkesë prej Shoqatës së Pensionerëve të Kosovës që t’i ndihmojmë në realizimin e një investimi në një pronë të kësaj shoqate në komunën e Istogut, përkatësisht në Banjë të Istogut. Aty gjendet një shtëpi, e cila është e dëmtuar në statikë dhe Brenda. Pra, ka qenë kërkesë e kësaj shoqate që ta bëjmë një investim, ne si Komunë e Prishtinës, atje dhe pastaj ata ta shfrytëzojnë si pushimore për personat e moshuar… Unë jam i lumtur që jemi Komunë që kemi mjaftueshëm financa dhe meqë këtë pushimore mund ta shfrytëzojnë të moshuarit e qytetit tonë, ne e kemi parë të arsyeshme që ta bëjmë këtë investim. Andaj, edhe i kemi ndihmuar. Unë jam shumë i lumtur që na është dhënë kjo mundësi”, tha ai për lajmi.net.

Në lidhje me emërtimin gabim të projektit, ai thotë se nuk do të paraqes probleme në procedurat e prokurimit.

“Është bërë një gabim në emërtim, sidomos në ato kllapat që është vendosur ‘pronë e Komunës së Prishtinës’. Aty ka ngjallë gabimi. Nuk është idea që të investojmë në Shtëpinë e të Moshurve në Komunën e Istogut, idea është që të investojmë në një shtëpi që ka qenë private dhe ka kaluar në pronësi të kësaj shoqate, sipas kërkesës së kësaj shoqate… Nuk e di. Edhe jam habit dhe pastaj ka pas vështirësi, pasi ka kaluar buxheti dhe ka pas problem me ndërhy aty. Mirëpo, nuk ka qenë ide që të investohet aty, në atë objekt që ka menduar Komuna e Istogut”, tha ai.

Ndërkaq,  Mujë Osmanaj, drejtor për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Istogut është shprehur se nuk di asgjë në lidhje me këtë projekt, derisa ka hedhur dyshime për dallavere.

“Ajo, objekti që ata e kanë përmend e ato, ku me ditë çfarë dallavere kanë bërë, por nuk po mundem me ditë çka. Nuk po e di ku është ai objekt. .. A ka çfarë objekti në Banjë diku?.. Po, Po ka qenë një objekt aty. E di. Nuk e di a e mban dikush. Privat më duket ose kërkush hiç. Tash kërkush hiç. Qenka objekt i lënë…Nuk e di. Ministria është tjetër gjë, por Komuna e Prishtinës me investu në objekt të pensionistëve të Istogut, të Prishtinës.. Ata të Prishtinës e paskan pas? Po. Nëse e kanë pas të Prishtinës në emër të tyre mundet ajo, mundet me bë. Nëse është objekti i tyre nuk besoj që kanë nevojë me na pyet neve për renovim”, tha ai.

Por, Kukaj thotë se në javët e ardhshme do të kontaktojë me Komunën e Istogut në lidhje me këtë investim.

Nga Shoqata e Pensionistëve të Kosovës kanë treguar pse kërkesën për investim në atë objekt e kanë bërë në Komunën e Prishtinës dhe jo në atë të Istogut.

“Kemi shku kemi kërku në Komunën e Prishtinës sepse në atë në radhë të parë e shfrytëzojnë pensionistët e Prishtinës. Nuk mundet me shit atë askush sepse është si spital, me destinim për shërim,por munden me renovu. Kush i jep paret, i jep Komuna e Prishtinës, Halil Kastrati apo kush i jep për sevap me ndreq, mirë se ardhtë. Komuna e Istogut nuk e ngrit ndërtesën për pensionistët e Prishtinës. Ne kemi shku në Prishtinë sepse jemi pensionistë të Prishtinës”, tha kryetari i kësaj shoqate, Asllan Asllani.

Asllani shton se i kanë të gjitha dokumentet që prona është blerë nga pensionistët prej oficerëve kroatë.

Shoqata e Pensionerëve synon që në të ardhmen aty të ndërtohet një objekt i ri, pasi për dikur ishin dy objekte, por që nga vjetërsia njëri është rrënuar. /Lajmi.net/