E rrahu dy herë brenda ditës me kabllo të rrymës dhe e kërcënoi se do ia vrasë familjarët- Detaje se si Astrit Isufi kishte urdhër të mos i afrohet gruas

Gruaja e tanimë të dyshuarit për vrasjen e dyfishtë dje në Malishevë ishte në vazhdimësi në probleme të njëpasnjëshme që i ishin shfaqur si shkak i dhunës së përdorur nga Asttrit Isufi. Isufi akuzohej për dhunë në familje dhe kanosje, vepra këto të cilat e kishin çuar fillimisht edhe prapa grilave, por i njëjti qëndroi…

Lajme

07/11/2025 14:21

Gruaja e tanimë të dyshuarit për vrasjen e dyfishtë dje në Malishevë ishte në vazhdimësi në probleme të njëpasnjëshme që i ishin shfaqur si shkak i dhunës së përdorur nga Asttrit Isufi.

Isufi akuzohej për dhunë në familje dhe kanosje, vepra këto të cilat e kishin çuar fillimisht edhe prapa grilave, por i njëjti qëndroi pak aty.

E gjithë kjo pasi vendimi i marrë fillimisht nga Gjykata Themelore në Prishtinë për burg ishte ndryshuar si masë nga Gjykata e Apelit.

Rrahje e kërcënime se do t’ia vrasë anëtarët e familjes gruaja e Astrit Isufit kishte marrë vazhdimisht nga ky i fundit.

E detajet e dosjes së këtij rasti janë tronditëse.

Dje, lajmi.net raportoi se ndaj Isufit ishte ngritur aktakuzë në muajin prill të këtij viti dhe i njëjti ishte burgosur, burim ky që zgjati fare pak. Ai kishte rrahur brutalisht gruan e tij, I.Morina.

“Pershendetje nderuar,Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojme, se prokurori i shtetit ndaj personit te dyshuar A.I., me date 06.04.2025, eshte paraqitur kerkesa per caktimin e mases se paraburgimit, e cila po te njejtit iu eshte caktuar nga gjykata kompetente.Po ashtu, me date 07.04.2025, Prokuroria Themelore ne Prishtine, ka ngritur aktakuze ndaj te pandehurit per veprat penale “Dhune ne familje sipas nenit 248 te Kodit penal te Republikes se Kosoves, dhe “Kanosje” sipas nenit 181 te KPRK-se”,u tha nga Prokuroria.

Si fillim ai ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë për kanosjen që i kishte bërë gruas dhe familjes së saj.

Isufi më 30 mars të vitit 2025 theksohet që kishte rrahur gruan e tij dhe të njëjtën e kishte kërcënuar që në rast se ndahet nga ai, do t’ia vrasë anëtarët e familjes.

Gjithnjë sipas dosjes, më 30 mars të këtij viti, Astrit Isufi në mëngjes derisa gruaja e tij po përgatiste drekën e festës së Bajramit meqë rast i pandehuri ishte zgjuar nga gjumi dhe e kishte thirrur gruan e tij të cilën e kishte goditur me peshqir në trup duke i kërkuar asaj që t’i zgjojë fëmijët nga gjumi.

E njëjta më pas kishte shkuar tek fëmijët, po rata nuk ishin ende zgjuar duke u kthyer sërish tek Isufi për t’i treguar. Pas kësaj, Astrit Isufi përshkruhet se ishte nervozuar dhe kishte filluar ta sulmoj fizikisht gruan e tij, përfshirë këtu shuplaka e grushte në gjithë pjesën e trupit.

Pasi kishin kaluar disa orë, Astrit Isufi ishte kthyer në shtëpi pas disa vizitave tek familjarët dhe kishte kërkuar ushqim nga gruaja e tij kur viktima i kishte thënë se mungon një nga produktet ushqimore meqë rast kishte nisur një sherr tjetër, ku gruaja u rrah për herë të dytë brenda ditës.

Duke mos u mjaftuar me kaq, Astrit Isufi kishte marrë pjatat e ushqimit dhe i kishte thyer në tokë duke e tërhequr më pas zvarrë gruan e tij dhe të njëjtën e kishte futur në dhunë ku kishte filluar ta godasë me kabllo të rrymës në pjesë të ndryshme trupore. Në atë moment në dhomë kishte hyrë vajza e tyre dhe i kishte kërkuar babait të saj, të pandehurit Isufi që të ndaloj sepse “po e mbys nënën”.

Dosja sqaron po ashtu se pavarësisht kësaj kërkese, Astrit Isufi nuk kishte ndaluar derisa i është dukur mjaftueshëm dhunë e përdorur ndaj bashkëshortes të cilën më pas e ka larguar nga shtëpia.

Duke shkuar edhe më tutje, Astrit Isufi në po këtë ditë të festës së Bajramit e kishte kërcënuar gruan dhe e kishte paralajmëruar atë se në rast se ndahet nga ia, do t’ia vrasë të gjithë anëtarët e familjes.

“Ti s’guxon me u nda me mua, se kam me të vra familjen- me t’i faru me ka krejt”, në dosje përshkruhet kërcënimi në fjalë.

Edhe pse Prokuroria Themelore dje konfirmoi se aktakuza ishte ngritur ndaj të njëjtit, Gjykata Themelore e Prishtinës me degë në Drenas kishte dënuar atë me burg prej 154 ditë dhe 300 euro gjobë për dhunë në familje derisa kanosja i llogaritej 500 euro- që i bie gjobë prej 800 euro gjithsej.

“Çmenduria” e këtij rasti shkon edhe më larg ku gruaja në fjalë kishte treguar se asaj nuk i ishte lejuar as mbajtja e telefonit.

Pa telefon dhe me dhunë fizike të vazhdueshme, gruaja kishte treguar se nuk ka mund as ta raportoj rastin e dhunës sepse s’kishte mundësi. Ai madje kishte kërkuar nga gruaja që t’u thotë familjarëve se nuk kanë çka lypin aty. Pas kësaj, gruaja ishte vendosur tek familja e saj, ndërsa fëmijët po jetonin tek babai për shkak që të mos u ndërpritej shkollimi.

Pasi Isufi ishte dënuar me 5 muaj burgim, Gjykata e Apelit kishte ndryshuar vendimin e shkallës së parë, duke i ndryshuar edhe kohëzgjatjen e dënimit nga 5 në 3 muaj për rrahjen brutale të gruas së tij si dhe kërcënimet ndaj të njëjtës .

Në lidhje me vendimin e Themelores, kishte bërë ankesë avokati i Astrit Isufit, Muhamet Binaku. Në përgjigjen në ankesë ishte paraqitur edhe përfaqësuesi i gruas së Astritit, Faik Morina duke treguar se gruaja ishte kthyer në shtëpinë e përbashkët me Astritin në Komoran te fëmijët e saj më 22.04.2025 me marrëveshjen e dy palëve të familjes.

Më pas Apeli kishte mbajtur edhe seancën e kolegjit dhe kishte shqyrtuar ankesën e cila nuk ishte për shkelje esenciale të vendimit por për ndryshimin e saj. Mbrojtësit e dy palëve në këtë rast Astrit Isufit dhe gruas së tij kishin mbështetur kërkesën që të shqiptohej një dënim alternativ siç është ai me kusht.Gjykata e Apelit kishte shqyrtuar të gjithë situatën dhe kishte ardhur në përfundim që t’i ulte dënimin me burgim të dënuarit Astrit Isufit nga 5 muaj në tre muaj burgim duke shtuar se ky dënim është më i butë është në harmoni me intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore të kryerjes së veprës penale me shkallën e përgjegjësisë së të akuzuarit dhe kjo do të shërbej si preventivë gjenerale.

Në lidhje me këtë çështje, lajmi.net ka kontaktuar edhe avokatin e gruas së Astrit Isufit, Faik Morina i cili bëri të ditur se ndaj Isufit ka pasur një urdhër që të mos i afrohet gruas.

Gruaja ishte kthyer në shtëpinë e tij gjatë kohës sa ishte në burgim për të qëndruar afër fëmijëve.

Morina ka theksuar se ndaj Isufit pati për një vit urdhër-mbrojtës që të mos i afrohet gruas së tij.

“Për një vit burri i saj dhe familja e tij patën për një vit urdhër-mbrojtës që të mos e shqetësojnë atë dhe as fëmijët. Çfarë ka ndodhur me urdhër-mbrojtës më nuk e di”,deklaroi Morina.

Ai tha po ashtu se ka kaluar kohë dhe s’e di saktësisht se si ndodhi pastaj.

Astrit Isufi tanimë është arrestuar si i dyshuar kyç për vrasjen e dy vëllezërve të grua, Driton dhe Naim Morina.

Isufi u arrestua mëngjesin e sotme dhe raportohet të jetë i plagosur në pjesën abdominale të trupit. Ai po trajtohet në QKUK./Lajmi.net/