E rëndë: Tre persona vdesin në aksidente trafiku brenda 24 orëve, njëri po trajtohej për lëndimet e marra rreth një muaj më parë

Një 24 orësh i rëndë ka qenë për Kosovën, ky i fundit. Tre persona kanë humbur jetën si pasojë e lëndimeve të marra në aksidente trafiku. Njëri nga rastet ka ndodhur në rrugën Ferizaj – Prishtinë, saktësisht në Çagllavicë ku ka ndodhur një aksident mes një veture dhe një këmbësori. Këmbësori është dërguar për trajtim…

Lajme

03/09/2026 09:14

Një 24 orësh i rëndë ka qenë për Kosovën, ky i fundit.

Tre persona kanë humbur jetën si pasojë e lëndimeve të marra në aksidente trafiku.

Njëri nga rastet ka ndodhur në rrugën Ferizaj – Prishtinë, saktësisht në Çagllavicë ku ka ndodhur një aksident mes një veture dhe një këmbësori.

Këmbësori është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK ku edhe është konstatuar se ka humbur jetën.

Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje,.

 “Rr. Ferizaj – Prishtinë, Çagllavicë  02.09.2026 – 15:35. Ka ndodhur një aksident trafiku ndërmjet një veture dhe një këmbësori. I lënduari (këmbësori) është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK, mjekët kanë konstatuar se ka humbur jetën. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport 24 orësh.

Rasti tjetër ka ndodhur në fshatin Llukar të Prishtinës. Aty, janë përfshirë në aksident një veturë dhe një motoçikletë ku motoçiklisti ka pësuar lëndime të rënda dhe ka humbur jetën.

Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje.

Viktima e këtij aksidenti është ish-banori i Big Brother VIP Kosova dhe influenceri i njohur kosovar, Laurent Krasniqi.

“Fsh. Llukar, Prishtinë 02.09.2026 – 20:17. Ka ndodhur një aksident trafiku në mes një veture dhe një motoçiklete. Motoçiklisti ka pësuar lëndime të rënda, është dërguar në emergjencë në QKUK, mjeku ka konstatuar se ai ka humbur jetën. Me vendim të prokurorit turpi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport 24 orësh.

Rasti tjetër ka ndodhur në Vushtrri, ku në Spitalin e Vushtrrisë ka humbur jetën një person që po trajtohej pasi ishte goditur nga një veturë më 5 gusht të këtij viti.

Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.

“Vushtrri  05.08.2026 – 22:25. Më 02.09.2026 në Spitalin e Vushtrrisë, ka ndërruar jetë viktima mashkull kosovar, i cili ishe duke u trajtuar në repartin intensiv pasi ishte goditur nga një veturë më 05.08.2026. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raprot 24 orësh. /Lajmi.net/