E papritur: Trump njofton largimin e Grenellit nga pozita e drejtorit të “John F. Kennedy Center”
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë të ditur se Richard “Ric” Grenell do të dorëhiqet nga posti i drejtorit të “John F. Kennedy Center for the Performing Arts në Uashington, D.C.”, një rol që ai e mbajti që nga emërimi i tij në shkurt 2025. Sipas njoftimit të Trump, Matt Floca, nënkryetar për operacionet e…
Bota
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë të ditur se Richard “Ric” Grenell do të dorëhiqet nga posti i drejtorit të “John F. Kennedy Center for the Performing Arts në Uashington, D.C.”, një rol që ai e mbajti që nga emërimi i tij në shkurt 2025.
Sipas njoftimit të Trump, Matt Floca, nënkryetar për operacionet e qendrës, do të marrë drejtimin ekzekutiv të institucionit dhe do të përkujdeset për menaxhimin e përditshëm, me formalizimin e vendimit gjatë një mbledhjeje të bordit të drejtorëve në Shtëpinë e Bardhë, transmeton lajmi.net.
Largimi i Grenell ndodh ndërsa Kennedy Center përgatitet për një mbyllje dyvjeçare për rinovime, pas një periudhe të trazuar menaxhimi që përfshinte riorganizime dhe vendosjen e emrit të Trump në fasadën e ndërtesës – një vendim që shkaktoi reagime të ashpra dhe anulime nga artistë të njohur.
Trump e falënderoi Grenell për punën e tij gjatë tranzicionit, por burimet pranë Shtëpisë së Bardhë thonë se presidenti është lodhur nga raportimet e vazhdueshme për problemet e menaxhimit të Kennedy Center. Gjatë mandatit të tij, Grenell përballej me protesta, anulime të performancave, rënie të shitjes së biletave dhe vështirësi financiare, ndërsa përpiqej të zbatonte vizionin e presidentit për institucionin.
Burimet e CNN theksojnë se, megjithë afërsinë e mëparshme mes Trump dhe Grenell – një besnik i njohur që ka mbajtur poste të ndryshme gjatë dy mandateve presidenciale – presidenti ka filluar të humbasë durimin për shkak të kritikave të vazhdueshme për menaxhimin e qendrës.
“Ric ka punuar shumë për të mbetur i preferuari i Trump, por presidenti është lodhur duke dëgjuar çdo ditë se Kennedy Center po menaxhohet keq dhe se Trump po e shkatërron atë,” tha një burim pranë qendrës.
Grenell njihet gjithashtu për aktivitetet e tij ndërkombëtare; në Ballkan, ai është i njohur për lidhjet lobuese me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si dhe për rolin e tij si i dërguari amerikan në dialogun Kosovë–Serbi.
Mandati i tij në Kennedy Center do të mbahet mend si një periudhë me turbulenca dhe vendime të diskutueshme, ndërsa institucionet amerikane të artit përgatiten për një fillim të ri nën drejtimin e Flocas./lajmi.net/