E lëmë BE’në, e zgjedhim Kosovën

Ministri i jashtëm Serb, Ivan Mrkic nuk do të pranonte kushtin për pranimin e pavarësisë së Kosovës, qoftë edhe nëse kjo do t’i kushtonte me anëtarësim në BE. Ai thotë se Serbia do të shfrytëzojë rastin gjatë kohës së Presidencës Europiane të Greqisë.

Lajme

05/01/2014 16:32

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivan Mrkic ka deklaruar se nuk i frikësohet bisedimeve me Kosovën, duke aluduar në ndihmën që do ta ketë nga Greqia e cila nga 1 janari deri në fund të qershorit do ta ketë Presidencën e radhës në Bashkimin Europian.

Ai thotë se Beogradi përkundër faktit që është duke zhvilluar negociata me Prishtinë, nuk do ta njohë asnjëherë pavarësinë Kosovës, shkruan Tanjug.

Mrkic thotë se më 21 janar, kur edhe do të fillojë konferenca ndërqeveritare Serbi-BE, do të shënojë një etapë të re për Serbinë.

“Do të duhej të kuptojmë se 21 janari është një ditë e cila shënon një rrugëtim të gjatë dhe fillimin e një periudhe të re kualitative”.

Sipas tij, ndër çështjet kryesore gjatë këtyre negociatave me BE’në, do të jetë edhe Kosova.

“Ne do të mundohemi që jeta e përditshme në Kosovë të mos ketë pengesa dhe që të mos ndjehen dallimet fondamentale politike lidhur me çështjen e statusit”.

Duke komentuar ndikimin që do të ketë çështja e Kosovës në bisedimet për anëtarësim të Serbisë në BE, Mrkic thotë se “nuk ka qenë e mundur që as në Bruksel të gjendet një person i cili do të fliste saktë për këtë punë”.

Sipas tij, thelbi i gjithë kësaj është se BE nuk kërkon nga Serbia që të ndërrojë qëndrimin politik.

“Mos mendoni që do të vijë momenti kur do t’i kërkohet Serbisë që të pranojë pavarësinë e Kosovës ose në të kundërtën nuk do të hyjë në BE. Nëse kjo na kërkohet ne do të themi, faleminderit por nuk dëshirojmë të hyjmë”.