“E kam dashur dhe do ta dua PDK-në edhe pa e udhëhequr”, Hamza pas dorëheqjes
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga udhëheqja e partisë. Hamza tha se ky vendim i hap rrugë një procesi të ri zgjedhor brenda PDK-së, përmes të cilit anëtarët do të vendosin për drejtimin e ardhshëm të partisë, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes më të madhe të të rinjve dhe mundësive…
Lajme
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga udhëheqja e partisë.
Hamza tha se ky vendim i hap rrugë një procesi të ri zgjedhor brenda PDK-së, përmes të cilit anëtarët do të vendosin për drejtimin e ardhshëm të partisë, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes më të madhe të të rinjve dhe mundësive që ata të marrin përgjegjësi.
Hamza tha se gjatë udhëheqjes së tij është përqendruar në ruajtjen e unitetit të partisë, strukturave të saj dhe besimit të anëtarëve e të votuesve.
“Nuk po largohem nga PDK-ja. Po largohem vetëm nga pozita e kryetarit, por jo edhe nga besimi në vlerat tona politike. Derisa të kem jetë, do të jem votues besnik i Partisë Demokratike të Kosovës dhe anëtar i kësaj familjeje të madhe politike”, tha ai.
Hamza përmendi vendimin e Dhomave të Specializuara ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, ndërsa theksoi se përpjekjet për drejtësi, zbardhjen e së vërtetës dhe kthimin e ish-krerëve të UÇK-së pranë familjeve dhe Kosovës do të vazhdojnë.
Hamza në fund i falënderoi anëtarët, strukturat dhe mbështetësit e PDK-së, duke theksuar se interesi i partisë duhet të jetë gjithmonë mbi interesin personal.
“Unë nuk e dua PDK-në vetëm për ta udhëhequr. E kam dashur dhe do ta dua edhe pa e udhëhequr”, tha ai.