E hetoi ish-kolegun për një vit, prokurori Ibrahim Berisha heq dorë nga lënda

Prokuroria e Apelit konsideron që është konflikt i interesit nëse Prokuroria Themelore e heton ndonjë ish-prokurorë të saj.

Lajme

13/12/2019 13:00

Një hetim për tre tender të mëdhenj të realizuar nga zyra e prokurimit të Policisë së Kosovës ka përfunduar me ngritje të kallëzimit penal. Hetimet për shkelje të mundshme të disa zyrtarëve të Policisë së Kosovës dhe Organit Shqyrtues të Prokurimit për rreth një vit i udhëhoqi, prokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Ibrahim Berisha.

Siç ka mësuar lajmi.net, në mesin e të dyshuarve, emri i të cilit është i përfshirë në kallëzimin penal është edhe anëtari i Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, Nuhi Paqarrizi, i cili para shumë viteve ka qenë prokuror në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Pasi mblodhi prova për rreth një vit dhe ngriti kallëzim penal, prokurori Ibrahim Berisha ka vendosur të heq dorë nga lënda ku është i papërfshirë ish-kolegu i tij. Kjo pasi ka konsideruar që Paqarrizin e ka pasur koleg në të kaluarën dhe ky fakt mund të përbëjë konflikt të interesit. Kërkesën ia ka aprovuar Prokuroria e Apelit, e cila e ka zhvendosur këtë lëndë në Prokurorinë Themelore në Prizren, me ç’rast është caktuar edhe një prokurorë i rastit.

“Duke ju referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, për rastin në fjalë, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka paraqitur kërkesë në Prokurorinë e Apelit për caktimin e kompetencës, për të evituar konfliktin e interesit, andaj, me vendim të njëjtës prokurori, rasti është deleguar në kompetencë të Prokurorisë Themelore në Prizren. Sa i përket informacioneve lidhur me statusin e rastit, mos hezitoni t’i drejtoheni prokurorisë përkatëse”, tha për lajmi.net Laureta Ulaj, zyrtare për informim dhe monitorim të mediave në Prokurorinë Themelore Prishtinë.

Prokuroria e Apelit nuk ka dashur të jap asnjë sqarim lidhur më këtë rast.

Ndërse në këtë lëndë që janë të përfshitë shumë persona, avokati Tomë Gashi i ka dhënë të drejtë prokurorit Berisha në tërheqjen e tij. Sipas Gashit, Berisha mund të ketë dashur të jetë i pa anshëm në këtë rast.

“Në këtë rast nuk do të thotë që ka konflikt të interesit, por prokurori Ibrahim Berisha ka vepruar drejtë. Kjo pasi prokurori duhet të jetë i paanshëm dhe me vetë faktin se e ka pasur koleg më herët, ka pasur të drejtë që të kërkojë që lënda të dërgohet në një prokurori tjetër. Meqenëse Prokuroria Themelore në Prizren i ka kompetencat e njëjta si çdo Prokurori Themelore tjetër, atëherë nuk ka vend për shqetësim, sepse prokurorët e kryejnë punën e vetë njëjtë, ata që e kryejnë drejtë. Pra, prokurori as nuk i ka krijuar favore zotit Paçarrizi e as disfavore” , tha avokati Gashi për lajmi.net.

Siç ka raportuar më herët lajmi.net, dyshimet për dallavere me tender kishin aktivizuar sektorin për hetimin e korrupsionit që është në kuadër të policisë që të nisë një hetim brenda institucionit të tyre, konkretisht në zyrën e prokurimit.

Pasi ishte marrë edhe leja nga Gjykata Themelore në Prishtinë për përgjimet e telefonave ndaj disa zyrtarëve, aparate përgjuese ishin vendosur edhe brenda zyrës së prokurimit të policisë.

Lajmi.net ka mësuar se hetuesit e sektorit të korrupsionit tashmë e kanë dorëzuar kallëzimin penal për disa zyrtarë të policisë me cak të veçantë ndaj ish-drejtoreshës së prokurimit, Valmira Bllaca, e cila në nëntor të vitit të kaluar ishte transferuar në ministrinë e Infrastrukturës që udhëhiqet nga Pal Lekaj i AAK-së.

Policia e Kosovës e kishte rekomanduar për kontratë ofertën që ka qenë 2.3 milionë euro më e shtrenjtë se oferta më e lirë e dorëzuar në tenderin për furnizim me uniforma të reja. Ky është njëri prej tre rasteve në këtë lëndë.

Po ashtu, kallëzimi i dytë penal, ka të bëjë me tenderin “Mirëmbajtja verore dhe dimërore e rrugëve nacionale dhe regjionale të Kosovës 2017/2018/2019”. Pjesë e hetimeve është vetëm loti ‘Peja 2’.

Për këtë lot, Ministria kishte paraparë 1,364, 658.20 euro, ndërkohë kishte lidhur kontratë me kompaninë që ishte mbi 1 milion euro më e shtrenjtë se parashikimi i ministrisë. Kontrata ishte lidhur me kompaninë e përgjegjshme që kishte ofertë më të lartë se kompania tjetër e shpallur e përgjegjshme për rreth 2 milionë euro.

Po ashtu, pjesë e lëndës është edhe një tjetër tender i realizuar nga policia.

Në të gjitha këto raste OSHP-ja i kishte dhënë të drejtë prokurimit të policisë, ku gjyqtar në disa raste ka qenë edhe Paqarrizi. /M.B -Lajmi.net/