E dhunoi ish-gruan kur shkoi për t’i marrë fëmijët, i dyshuari ekstradohet nga Franca dhe përfundon në ndalim
Prokuroria Themelore në Ferizaj, përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore caktimin e masës së paraburgimit ndaj një personi me inicialet A.S., i dyshuar për dhunim, armëmbajtje pa leje dhe kanosje. I dyshuari ishte arrestuar në Francë pas lëshimit të një urdhërarresti ndërkombëtar, ndërsa gjatë ditës së djeshme është ekstraduar në…
Lajme
Prokuroria Themelore në Ferizaj, përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore caktimin e masës së paraburgimit ndaj një personi me inicialet A.S., i dyshuar për dhunim, armëmbajtje pa leje dhe kanosje.
I dyshuari ishte arrestuar në Francë pas lëshimit të një urdhërarresti ndërkombëtar, ndërsa gjatë ditës së djeshme është ekstraduar në Kosovë. Aktualisht, ai ndodhet në ndalim me vendim të Prokurorit të Shtetit, transmeton lajmi.net.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, dyshohet se ngjarja ka ndodhur më 19 korrik 2024, rreth orës 12:00, në shtëpinë e të dyshuarit në Ferizaj.
Sipas pretendimeve të organit të akuzës, viktima kishte shkuar në shtëpinë e prindërve të të dyshuarit, së bashku me djalin e axhës L.S., për t’i marrë fëmijët që ndodheshin për vizitë. Në atë moment, i dyshuari, nën kërcënimin e armës, dyshohet se e kishte detyruar atë të hynte brenda shtëpisë, ku kishte shtënë disa herë me armë në tokë.
Prokuroria pretendon se më pas ai e kishte goditur viktimën me shuplakë, e kishte kapur disa herë për flokësh dhe e kishte goditur me shkelm në bark. Gjithashtu, dyshohet se kishte kryer marrëdhënie seksuale me të, me dhunë dhe pa pëlqimin e saj.
Përveç kësaj, i dyshuari akuzohet se kishte përdorur armën pa autorizim për të frikësuar viktimën dhe një person tjetër. Po ashtu, dyshohet se këtë të fundit e kishte kërcënuar me vrasje nëse nuk ia dorëzonte dokumentet dhe nëse e raportonte rastin në polici.
Pas ngjarjes, i dyshuari dyshohet se ishte larguar nga Kosova dhe kishte qëndruar jashtë vendit deri në arrestimin e tij në Francë.
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit, ndërsa vendimi përfundimtar lidhur me këtë kërkesë pritet të merret nga Gjykata Themelore në Ferizaj./lajmi.net/