E ardhmja e Olises te Bayern Munich një mister
Michael Olise mbetet një prej pikëpyetjeve më të mëdha për Bayern Munichun, edhe pse sezoni sapo ka filluar. E ardhmja e anësorit francez mund të rikthehet në qendër të vëmendjes gjatë verës së ardhshme, ndërsa drejtori ekzekutiv i klubit bavarez, Jan-Christian Dreesen, nuk ka dashur të garantojë se lojtari do të vazhdojë karrierën në “Allianz…
Sport
Michael Olise mbetet një prej pikëpyetjeve më të mëdha për Bayern Munichun, edhe pse sezoni sapo ka filluar. E ardhmja e anësorit francez mund të rikthehet në qendër të vëmendjes gjatë verës së ardhshme, ndërsa drejtori ekzekutiv i klubit bavarez, Jan-Christian Dreesen, nuk ka dashur të garantojë se lojtari do të vazhdojë karrierën në “Allianz Arena”.
Olise, i cili shkëlqeu me paraqitjet e tij në Kupën e Botës dhe tërhoqi interesimin e disa prej klubeve më të mëdha evropiane, qëndroi te Bayerni gjatë afatit të fundit kalimtar.
Klubi gjerman nuk ishte i gatshëm të dëgjonte oferta për një prej lojtarëve të tij më të rëndësishëm, por tashmë vetë drejtuesit e Bayern janë të vetëdijshëm se situata mund të ndryshojë në të ardhmen.
Dreesen i ka hedhur poshtë raportimet se Bayerni kishte marrë dhjetëra oferta për francezin gjatë kësaj vere.
“Ishte absurde të thoshim se kishim dhjetëra oferta në tavolinë këtë verë. Kjo thjesht nuk ishte e vërtetë”, deklaroi ai në programin “Doppelpass”, duke iu referuar edhe interesimit të raportuar nga Real Madridi dhe klube të tjera evropiane.
Megjithatë, kur u pyet për të ardhmen e Olises, Dreesen nuk dha një përgjigje që do t’i qetësonte plotësisht tifozët e Bayernit.
Kontrata e francezit me klubin skadon në vitin 2029, por drejtori ekzekutiv pranoi se në futboll është e vështirë të bëhen premtime afatgjata. “Të bësh premtime në këtë biznes është një çështje delikate”, tha ai.
Dreesen është i bindur se çështja e Olises do të rikthehet në diskutim verën e ardhshme.
“Verën e ardhshme, do të diskutojmë përsëri nëse mund ta mbajmë përgjithmonë”, deklaroi ai.
Meqë kontrata e francezit nuk përmban një klauzolë lirimi, çdo vendim për të ardhmen e tij do të kërkojë negociata direkte me Bayernin.
Në klub, ndërkohë, duket se ka edhe një tjetër shqetësim. Sipas “Sport1”, drejtuesit e Bayernit e konsiderojnë qëndrimin e Olises, si në publik ashtu edhe në komunikimin e brendshëm, një mister. Ata nuk e dinë nëse lojtari do të kërkojë një kontratë të re apo, përkundrazi, do t’u kërkojë të negociojnë largimin e tij drejt një tjetër klubi.

