Dy zyrtarë të Komunës së Istogut shoqërohen në polici për ndërtime të paligjshme

Departamentin Special i Policisë së Kosovës për hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Pejë është ka zhvilluar sot një aksion në tri komuna.

Lajme

15/07/2021 14:21

Dy zyrtarë të Komunës së Istogut janë shoqëruar në polici në kuadër të aksionit të sotëm të Prokurorisë lidhur me ndërtimet pa leje.

Prokurori Arben Hoti, i pyetur nga “Betimi për Drejtësi” lidhur me aksionin e sotëm, nuk ka dhënë informacione. Njëjtë nuk është përgjigjur as zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikqi.

Ndërkohë, Prokuroria e Pejës ka lëshuar në njoftim, ku sqaron se aksioni i sotëm ka të bëjë me ndërtimet e paligjshme.

Në njoftim është bërë e ditur se për këtë aksion janë angazhuar pesë prokurorë dhe kryeprokurori i Pejës.

“Prokuroria e Pejës, njofton opinioni publik se, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore dhe urdhëresës së gjyqtarit të procedurës paraprake, janë duke u kryer bastisje në tri komuna (Pejë, Klinë dhe Istog), me qëllim të gjetjes së provave për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” ndaj disa zyrtarëve komunal, lidhur me ndërtimet e paligjshme. Për këto veprime në teren janë angazhuar pesë prokurorë të shtetit nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, në koordinim me Njësitin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë”, njofton Prokuroria e Pejës.