Dy vrasjet në Vushtrri, a do të kenë efekt masat e ndërmarra nga komuna?
Dy raste të vrasjeve, njëra prej tyre me dy viktima, në qytetin e Vushtrrisë brenda 24 orëve ka shtyrë kryetarin e kësaj komune të ndërmarrë disa veprime. Të nevojshme, Këshilli i Sigurisë së Komunës e ka paraparë shtimin e njësiteve të Policisë si masë për ngritjen e sigurisë. E kjo në Vushtrri, ka nisur zbatimin…

Lajme
Dy raste të vrasjeve, njëra prej tyre me dy viktima, në qytetin e Vushtrrisë brenda 24 orëve ka shtyrë kryetarin e kësaj komune të ndërmarrë disa veprime.
Të nevojshme, Këshilli i Sigurisë së Komunës e ka paraparë shtimin e njësiteve të Policisë si masë për ngritjen e sigurisë.
E kjo në Vushtrri, ka nisur zbatimin të mërkurën.
“Besoj se do ta përmisojnë dukshëm gjendjen. Veç kanë filluar të zbatohen menjëherë, është rritur shumë prezenca e patrullave të policisë në lokalitete dhe DKA ka marrë masat të telefonojë që sot prindërit, të bisedojë çështjet me ta dhe ta rrisë aktivitetin në shkolla. Këto duhet të jenë vazhdimisht prezente”, ka dekaruar Ferit Idrizi, Kryetar i Komunës së Vushtrrisë.
Sipas atyre që dikur shërbenin në uniformën blu, shpërndarja e njësiteve nuk do përfshijë gjithë Vushtrrinë por zona të caktuara.
E një masë e tillë pritet të ketë efektin e vet.
“E mirëpres shumë, mendoj se këtë duhet ta bëjë edhe niveli qëndror. E kuptoj në atë formë se policët do shpërndahen në pjesët më problematike dhe në ato ku, nga informatat intelegjente, dyshohet të ketë armë ilegale. Ose që është edhe lokal problematik ku vizitohen nga persona me armë ilegale sepse s’është ideja që në tërë komunën të shpërndahen policët. Policia vazhdimisht punon nga informatat prandaj një veprim i tillë është i mirëseardhur dhe e shoh të mirë nga kryetari. Njësoj do duhej të vepronin edhe kryetarët e tjerë”, ka theksuar Refki Morina, ish-kolonel.
Morina të njëjtin mendim ka edhe për organizimin e fushatave vetëdijesuese që bënte pjesë edhe në 7 rekomandimet e komunës.
Në këto të fundit, hynin edhe takimet e vazhdueshme të prindërve me DKA-në në komunë.
Por sipas sociologëve, me rëndësi mbetet ngritja e nivelit të ndërgjegjësimit.
“Mirë do ishte të mirreshim më seriozisht në nivelin shoqëror në krijimin e vlerave, para se të ndodhnin këto dukuri sepse si shoqëri, shumë pak po punojmë në këtë drejtim. Rastet nuk janë të pakta, është e vështirë të mënjanohen mirëpo jemi përgjegjës për veprimet të cilat iu qëndrojmë si kalimtarë. Këto duhet përcjellur edhe nga instancat e sigurisë që të merren më seriozisht dhe mos të bëhet kjo si dukuri. Të bëhet kulturë që këto raste para se të vinë si raste të dhunshme, të trajtohen si probleme”, ka theksuar Florim Shabani, sociolog për RTV Dukagjini.
Rekomandim tjetër ishte edhe mbajtja e ligjërimeve vetëdijesuese në institucionet fetare, praktikë e cila ka zënë vend në shumicën e rasteve të kësaj natyre.
Mbrëmjen e së dielës në Vushtrri, një 19 vjeçar u vra pasi u qëllua me armë zjarri nga një bashkëmoshatar i tij ndërsa të nesërmen, një shef biznesi qëlloi ish-punëtoren duke ia marrë jetën, e më pas edhe veten.