Dy të mitura nga Kosova, cak i ISIS-it

Dy vajza nga fshati Terpezë (Viti) të moshës 14-vjeçare, kanë shpëtuar në momentin e fundit, pa rënë në duart e rrjetit të ekstremistëve të ISIS-it. Më 28 mars 2015, Qëndresa Zejnullahu dhe Altina Salihu, të dyja ende pa i mbushur 15 vjet, ishin nisur për t’iu bashkuar grupeve të ISIS-it në Siri.

Lajme

04/05/2015 08:52

Pa dokumente me vete, ato kishin zgjedhur rrugën ilegale të kalimit të kufirit përmes Maqedonisë, shkruan Zëri.

Dy vajzat e mitura, në momentet kur po tentonin të kalonin kufirin ilegalisht, janë zënë nga Policia e Kosovës.

Altina mbush 15 vjet, më 30 maj, kurse Qëndresa më 4 qershor, të dyja kanë lindur në vitin 2000, dhe vijojnë klasën e nëntë, në shkollën fillore v“Hysen Terpeza”, në fshatin Terpezë (Viti).

Shoqe të fëmijërisë, pa dijeninë e familjeve dhe të askujt tjetër vendosin të marrin rrugën drejt Sirisë më 28 mars 2015. Kjo ngjarje kishte shokuar gjithë banorët e fshatit. Nuk u desh shumë kohë për t’u përhapur lajmi, fshati ka rreth 2200 banorë.

Qëndresa është fëmija më i vogël në familjen shtatëanëtarëshe Zejnullahu në Terpezë. Ai kishte marrë po të njëjtën rrugë që kishte marrë vëllai i saj Mentori (24 vjeç), në nëntorin e vitit 2014 të cilin e kishte zënë policia në Shqipëri.

Familja Zejnullahu jeton në kushte të rënda ekonomike, sa që Qëndresa nuk ka pasur mundësi që të paguajë 35. Euro në muaj për kiflet në shkollë.

“Nuk e di çfarë të them, më është shkatërruar jeta, vajza është e mitur, dikush e ka mashtruar, por nuk e dimë kush, ajo nuk flet”, thotë për Zëri, nëna e Qëndresës, Hasija.

Ajo tregon se Qëndresa kishte filluar që të falej, madje e kishte vendosur disa herë mbulesën e kokës nëpër shtëpi, por që prindërit nuk ia kishin lejuar pasi që ajo është e vogël.

Ndërkaq, familja e Altinës nuk pranon që të flasë për gazetën. Por banorët e fshatit tregojnë se shtëpia e saj nuk është shumë larg prej shtëpisë së Qëndresës.

Policia e Kosovës thotë se si rezultat i punës policore më 28 prill, rreth orës 12:30, në kufirin Kosovë-Maqedoni, përkatësisht në rrugën Stançiq të Kosovës-Bellanovc të Maqedonisë, nga patrullat kufitare të Policisë së Kosovës janë arrestuar dy femra të moshës rreth 15 vjeçare, shtetase të Republikës së Kosovës.

Në deklaratën e Policisë thihet se vajzat janë arrestuar gjatë tentimit të kalimit të kufirit, përmes vijës së gjelbër nga Kosova në Maqedoni, e që destinacioni i tyre i fundit dyshohet të kenë qenë shtetet arabe.

“Gjatë intervistimit të tyre, të njëjtat janë deklaruar se kishin për destinacion shtetet arabe, që dyshohet për shtetin e Sirisë”, thuhet në përgjigjen e Policisë, shkruan sot Zëri.