Dy policë pozitiv me COVID-19, disa të tjerë në vetizolim

Në mesin e 170 të infektuarve me koronavirus, dy janë zyrtarë të Policisë së Kosovës.

Lajme

07/04/2020 15:37

Dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë rezultuar pozitivë me COVID-19, përderisa në tërë vendin janë 165 persona të infektuar me koronavirus.

Nga Policia e Kosovës kanë bërë të ditur për lajmi.net, se të dy zyrtarët janë në vetizolim dhe janë në kontakt të vazhdueshëm edhe me Drejtorinë e Shërbimeve Shëndetësore të Policisë (DSHSH).

“Ndërsa deri më tani janë dy raste që zyrtarët policorë kanë rezultuar pozitiv me virus, një rast në Malisheve dhe tjetri në rajonin e Prishtinë. Rasti i parë në Malishevë  ka qenë i liruar nga puna, në pushim si rast i veçantë shëndetësor dhe i njëjti nuk ka pasur kontakt me ndonjë zyrtar policor, ndërsa rasti i dytë ka qenë në vizitë studimore në Londër, dhe falë syçëltësisë së dhe komunikimit me DSHSH-në, menjëherë është vendosur në karantinë duke mos rrezikuar aspak të tjerët. Në DSHSH vazhdimisht janë duke i kontaktuar punonjësit e PK-së, e në veçanti ata që janë në vetë-karantinë për t’iu ofruar shërbimet e nevojshme shëndetësore, në bashkëpunim edhe me institucionet shëndetësore”, thuhet në përgjigjen e policisë dhënë për lajmi.net.

Përveç dy të infektuarve me COVID-19, ka edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës të cilët janë në vetizolim pasi që ata janë kthyer nga vendet e ndryshme.

Nga Policia e Kosovës kanë bërë të ditur për lajmi.net, se po ashtu edhe disa pjesëtarë që kanë pasur probleme shëndetësore janë liruar gjatë kësaj periudhe.

“Një numër i zyrtareve policorë të cilët kanë sëmundje të rënda dhe një pjesë e stafit civil janë liruar, përderisa një pjesë e tyre sipas nevoje kryejnë detyra administrative përmes pajisjeve elektronike. Deri më tani janë disa zyrtarë që janë sugjeruar për vetizolimi dhe izolim të detyruar që ka rrjedhë me rekomandim të Ekipeve Mjekësorë nëpër pikat kufitare, ( pas ardhjes së tyre nga vende të ndryshme si ; Zvicër, Londër, Serbi, Amerikë, Gjermani etj.). Çdonjëri  prej tyre ka Udhëzimet nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe nga Ekipet Mjekësore  ne pikat Hyrëse te Kosovës . Në këto udhëzime i kanë sqarimet; Sa kohë kanë me qëndruar në Vetë-karantinë, se si duhet të vetizolohen  dhe sa munden me pas kontakt me të tjerët dhe këshilla të tjera të nevojshme, komfor ndryshimit të situatës së krijuar shëndetësore”, thuhet në përgjigjen e policisë .

Po ashtu nga Policia e Kosovës se me kohë janë marrë të gjitha masat e nevojshme për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19, ku edhe zyrtarët policorë kanë marrë edhe informacione e këshilla mjekësore.

“Policia e Kosovës me qëllim të mbrojtjes të të gjithë zyrtarëve policorë dhe në veçanti zyrtarëve në pikat kufitare, në lidhje me situatën rreth koronavirusit ka ndërmarrë masat të menjëhershme përmes aktiviteteve nga Drejtoria e Shërbimeve Shëndetësore e Policisë  siç janë: (Dezinfektimi, Dezinsektimi dhe Deratizimi) në të gjitha pikat kufitare, stacioneve dhe objekteve policore proces i cili është në vazhdim. Me qëllim të vetëdijesimit dhe informimit ka përgatitur posterat me këshilla mjekësore si dhe ka mbajtur ligjërata informuese në të gjitha pikat kufitare me pjesëtarët e policisë dhe do të vazhdojë me njësi të tjera policore si dhe ka shpërndarë maska për policët kufitarë duke përfshirë edhe pikën kufitare të Aeroportit si dhe rajonet e njësitet tjera policore”, ka bërë të ditur policia.

Theksojmë që deri më tani në Kosovë janë 170 persona të prekur me koronavirus, 24 të shëruar dhe 4 të vdekur. /Lajmi.net/