Dy persona ndalohen për 48 orë për “vjedhje të rëndë” në Mitrovicën e Veriut

Dy persona janë arrestuar dhe ndaluar për 48 orë nga Policia e Kosovës nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Vjedhje e rëndë” në Mitrovicën e Veriut. Sipas njoftimit të policisë, rasti ka ndodhur më 1 nëntor 2025, rreth orës 04:50, në rrugën “Dervarska”. Sipas ankuesit, dy persona të dyshuar kishin hyrë me forcë në…

Lajme

01/11/2025 16:32

Dy persona janë arrestuar dhe ndaluar për 48 orë nga Policia e Kosovës nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Vjedhje e rëndë” në Mitrovicën e Veriut.

Sipas njoftimit të policisë, rasti ka ndodhur më 1 nëntor 2025, rreth orës 04:50, në rrugën “Dervarska”. Sipas ankuesit, dy persona të dyshuar kishin hyrë me forcë në lokalin e tij dhe kishin vjedhur një shumë parash, transmeton lajmi.net.

Njëri prej të dyshuarve u ndalua në vendin e ngjarjes nga punëtorët e një kompanie të sigurimit fizik, ndërsa tjetri kishte arritur të largohej. Pas një pune hetimore-operative, policia ka arritur ta lokalizojë dhe arrestojë edhe të dyshuarin e dytë.

Të arrestuarit janë identifikuar me inicialet K.C. (28 vjeç) dhe Z.M. (42 vjeç). Gjatë kontrollit, tek ta është gjetur dhe sekuestruar një shumë parash që dyshohet se lidhet me rastin.

Nga hetimet paraprake, ekziston dyshimi se të njëjtit mund të jenë të përfshirë edhe në dy raste të tjera vjedhjesh të raportuara ditëve të fundit. Njëri prej tyre, sipas policisë, ka pranuar përfshirjen në këto raste gjatë intervistimit.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, të dy personat janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa ndaj tyre është iniciuar rasti “Vjedhje e rëndë”.

Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe në arrestimin e të gjithë personave që kryejnë apo tentojnë të kryejnë vepra penale./lajmi.net/