Dy parti shqiptare munguan në themelimin e Asociacionit të Komunave në Luginë

Këshilltarët komunalë të tri komunave Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, kanë miratuar me unanimitet themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Shqiptare të Luginës së Preshevës.

Lajme

12/09/2015 16:02

Në mbledhjen e përbashkët të këshilltarëve komunalë ishin të pranishëm 43 këshilltarë, ndërsa mbledhjen e bojkotuan dy partitë opozitare – Partia për Veprim Demokratik e Riza Halimit dhe Unioni Demokratik Shqiptar i Ramiz Zylfiut.

Drejtuesit e partive shqiptare në Luginë akuzuan pushtetin serb se nuk ka bërë asgjë për zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve të Luginës, madje me dhunë dhe terror kanë tentuar të largojnë shqiptarët nga Lugina e Preshevës.

Kryetari i Komunës së Preshevës Ragmi Mustafa tha para këshilltarëve komunalë të Luginës se sot është ditë historike, sepse këshilltarët komunal të kuvendeve të tri komunave me shumicë shqiptare kanë mbështetur miratimin e një vendimi historik, i cili hap rrugë proceseve politike jo vetëm në Luginë, por edhe në Kosovë, Shqipëri, Evropë dhe instanca tjera ndërkombëtare.

“ Është një parim i reciprocitetit dhe logjikës së shëndosh për të cilën padyshim as kori diplomatik ndërkombëtar asnjëherë nuk ka mundur të thotë jo se atje meritojnë serbët të ngritën në nivelin me të lartë të drejtave të tyre në Kosovë, ndërsa ju në Preshevë duhet të mbeteni në shkallë me të ulët të të drejtave elementare, si individuale po ashtu edhe kolektive”, tha Mustafa.

Më i ashpër në qëndrime ishte kryetari i Këshillit Nacional Shqiptar Jonuz Musliu, sipas të cilit qëllimi kryesor i Serbisë ka qenë pastrimi etnik dhe marrja e tokave shqiptare.

“Për këto përpjekje, populli është i vetëdijshëm, sepse rrugë tjetër nuk ka, formë tjetër nuk ka, përpos zgjidhjes së problemit politik, ajo është bazament për zgjidhjen e problemit të shqiptarëve….ky akt, ky vendim, ky vullnet është i gjithë shqiptarëve. Nuk mund të themi se ndryshe jetojnë një pjesë e shqiptarëve, ndryshe jetojnë një pjesë tjetër. Sepse gjendja është e njëjtë për gjithë shqiptarët…Çdo liderë që ka ngritur simbolin kombëtar ka ftesë për gjyq, çka, ky shtet çdo herë mendohet me dhunë, me terror për t’i larguar shqiptarët nga Lugina, por jo, shqiptarët janë të vendosur të jetojnë këtu, sepse vend tjetër nuk kanë, tokë tjetër nuk kanë, ky është vendi i tyre’, tha Musliu.

Musliu nuk la pa kritikuar edhe Bashkësinë Ndërkombëtare, për të cilën tha se nuk mund të funksionoj me dy standarde, ndryshe për serbët në Kosovë, e ndryshe për shqiptarët e Luginës.

Kryetari i Bashkimit Demokratik të Luginës (BDL) Skënder Destani, tha se partia e tij e mbështetë themelimin e Asociacionit, ndonëse ai personalisht është kundër themelimit të asociacioneve etnike. Madje, tha se është edhe kundër marrëveshjes së arritur në Bruksel nga përfaqësuesit e Prishtinës dhe Beogradit.

Ai ka kritikuar përçarjen e spektrit politik në Luginë, duke shprehur skepticizmin nëse do të mund të zbatohet ky vendim, nëse edhe këshilltarët e dy partive opozitare, PVD-së dhe UDSH-së nuk do t’i bashkohen këtij Asociacioni.

“Aprovimi i marrëveshjes në Bruksel mes Prishtinës dhe Beogradit dërgoi Luginën që në reciprocitet të realizojnë një të drejtë të tyre ashtu siç do ta realizojnë edhe serbët e Kosovës. Po e shoh sot se në këtë Kuvend nuk janë të gjithë këshilltarët shqiptarë që për BDL-në është e papranueshme, sepse mendojmë që asociacioni është dashur, apo vendimi për themelimin e këtij asociacioni të sillet me konsensus dhe jo të përçahet sepse dyshojmë në implementimin e këtij vendimi, nëse edhe në të ardhmen do jemi të përçarë”, tha Destani.

Kryetari i Komunës së Bujanocit Nagip Arifi tha se propozim drafti për themelimin e Asociacionit është i bazuar në të drejtën universale për të drejtat e njeriut që është miratuar qysh në vitin 1948, në përputhje me referendumin e vitit 1992 dhe marrëveshjen e Konçulit të viti 2001. Ai shtoi tha se themelimi i Asociacionit erdhi pas marrëveshjes së fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku serbët e Kosovës do të themelojnë Asociacionin e tyre.

“Tash pas marrëveshjes së fundit të Qeverisë së Serbisë dhe Qeverisë së Kosovës erdhëm në përfundim se deh ne shqiptarët duhet ta hartojmë një dokument i cili do të na shpie për një jetë me të mirë të shqiptarëve të Luginës. theksoi Arifi.

Pas miratimit të vendimit për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Shqiptare në Luginën e Preshevës, do të formohen edhe organet tjera, për të hartuar statutin e Asociacionit dhe të gjitha funksionet tjera.