Dy mjekë në Vushtrri akuzohen për marrje ryshfeti, nëntë persona për dhënie të parave
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë ndaj dy mjekëve të një spitali në Vushtrri, të dyshuar për marrje ryshfeti, si dhe ndaj nëntë personave të tjerë, të cilët akuzohen për dhënie ryshfeti. Sipas Prokurorisë, mjeku V.R. dyshohet se në gjashtë raste, ndërsa mjeku E.S. në tri raste, kanë kërkuar dhe pranuar shuma të ndryshme…
Lajme
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë ndaj dy mjekëve të një spitali në Vushtrri, të dyshuar për marrje ryshfeti, si dhe ndaj nëntë personave të tjerë, të cilët akuzohen për dhënie ryshfeti.
Sipas Prokurorisë, mjeku V.R. dyshohet se në gjashtë raste, ndërsa mjeku E.S. në tri raste, kanë kërkuar dhe pranuar shuma të ndryshme parash në këmbim të ofrimit të shërbimeve mjekësore dhe trajtimit të pacientëve, transmeton lajmi.net.
Të dy mjekët, sipas aktakuzës, kanë vepruar në cilësinë e personave zyrtarë dhe dyshohet se kanë pranuar para për të vepruar në përputhje me detyrat e tyre zyrtare.
Ndërkohë, nëntë personat F.V., B.Q., F.Xh., B.G., B.A., K.H., S.N., V.Y. dhe L.K. akuzohen se, drejtpërdrejt ose përmes personave të tjerë, u kanë premtuar, ofruar apo dhënë para mjekëve të akuzuar.
Shumat e dhëna, sipas Prokurorisë, kanë qenë nga 50 deri në 300 euro, ndërsa paratë dyshohet se janë dhënë si shpërblim për operimin e familjarëve të tyre.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen në përputhje me ligjin.
Rasti po procedohet nga Departamenti i Krimeve të Rënda i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.
Komunikata e plotë:
Aktakuzë për marrje ryshfeti ndaj dy mjekëve të spitalit në Vushtrri dhe ndaj nëntë personave për dhënie ryshfeti
Mitrovicë, 01 shtator 2026 – Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë ndaj të pandehurve V.R., dhe E.S., për shkak të veprës penale “Marrja e ryshfetit“, ndërkaq ndaj të pandehurve F.V., B.Q., F.Xh., B.G., B.A., K.H., S.N., V.Y., L.K., është ngritur aktakuzë për kryerjen e veprës penale “Dhënia e ryshfetit“
Sipas kërkesës së prokurorisë mjeku V.R., në gjashtë raste, ndërkaq mjeku E.S., në tri raste, në cilësinë e personit zyrtar – mjekë në spitalin e Vushtrrisë, në mënyrë të drejtpërdrejtë kërkojnë dhe pranojnë para në shuma të ndryshme në mënyrë që të veprojnë në përputhje me detyrën e tij zyrtare për ofrimin e shërbimeve të trajtimit mjekësor për pacientët.
Ndërkaq, nëntë të pandehurit F.V., B.Q., F.Xh., B.G., B.A., K.H., S.N., V.Y. dhe L.K. akuzohen se, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, për vete apo për persona të tjerë, u kanë premtuar, ofruar ose dhënë mjekëve të akuzuar shuma të ndryshme parash, nga 50 deri në 300 euro, si shpërblim për operimin e familjarëve të tyre.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë, me rastin e ngritjes së aktakuzës ka kërkuar nga gjykata që të pandehurit ti shpallë fajtorë për veprat e kryera penale dhe t`i dënojë sipas ligjit./lajmi.net/