Dy fjalë për studentin e Stanfordit dhe lidershipin e Lutfi Hazirit
Gjilani nuk është tokë pa zot dhe nuk është vend për tallje e sharje. Gjilani mirëpret miq e mysafirë, por assesi nuk duron abuzim e përçmim ndaj njerëzve të vet. Lutfi Hazirin e ka bërë Gjilani lider të vetin dhe të gjithë Kosovës. Këtë e ka bërë me votë të lirë, me zgjedhje, pa përbuzje e pa përçmim ndaj askujt. Këtë Gjilani e ka bërë sa herë që në listën zgjedhore e ka pasur Lutfi Hazirin.
Opinion
“Më falni zotëri; a mund ta bëjmë një foto?” pyeti djaloshi i ri. “Po, me kenëqësi,” ishte përgjigja.
“Fjalimi juaj ishte inspirues. Me të vërtetë jeni lider që nxisni vetëbesim tek të rinjtë. Ju folët nga zemra, dhe dhatë mesazh që do ta mbajmë mend: ura lidhëse në mes gjeneratës së prindërve tanë dhe fëmijëve tanë jemi ne.
Tash e shoh veten time si pjese e pandashme e rritjes dhe zhvillimit të shoqërisë së vendit tim; qenkam unë ai që duhet të bëjë më shumë që jo vetëm t’i bëjë krenarë prindërit e mi, por të trasojë rrugën e suksesit edhe për fëmijët e mi në të ardhmen.
Ju falëmnderit që ishit këtu. Një ditë do mburrem me ketë foto se në të do kem Presidentin e Kosovës,” theksoi djaloshi i ri, student i juridikut nga Universiteti i Stanfordit, një nga shkollat më me renome në botë, babai i të cilit ishte gjyqtar federal në Shtetin e Kalifornisë në SHBA.
Këto komente ai i bëri derisa u shkrep fotoja e tij bashkë me ligjëruesin kryesor të Konferencën Ndërkombëtare Vjetore të “Sister Cities International”, organizatës më të madhe të qyteteve në botë, me seli në Washington, DC, e themeluar nga Presidenti i SHBA-ve, Roosevelt.
E ligjëruesi në këtë konference ku merrnin pjesë kryetar komunash nga shume vende të botës, së bashku edhe me dhjetëra zyrtarë shtetëror e federal të SHBA-ve, si dhe studentë e shkollarë të rinjë nga shumë vende në SHBA, ishte kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.
E sjell këtë ngjarje në pah për të shpërfaqur vlerësimin më objektiv që dikush do të mund të jepte për të parin e komunës sonë. Studenti i Stanfordit, që kurrë më parë as e kishte parë e as e kishte dëgjuar Lutfi Hazirin, e sheh karizmën e liderit dhe përkushtimin për ndërlidhjen në mes gjeneratave si zgjidhjen më të mirë për sfidat që i sjellë koha.
Nëse ai e ndien afërsinë e të autoritetshmit dhe e parasheh koxha qartë edhe vizionin për të ardhmen politike të tij, atëherë si është e mundur që dikush tjetër që pretendon të jetë lider në ketë vend, që udhëheq një parti politike në këtë vend, jo veçse e injoron dhe e përbuzë figurën dhe përvojën Lutfi Hazirit, por përmes personalizimit të debatit mbi zgjedhjet lokale, shfryen vnerin e vet para gjilanasëve, dhe ende shpreson në votën e gjilanasëve?!
Gjilani nuk është tokë pa zot. Gjilani nuk është vend për tallje e sharje. Gjilani mirëpret miq e mysafirë, por assesi nuk duron abuzim e përçmim ndaj njerëzve të vet. Lutfi Hazirin e ka bërë Gjilani lider të vetin dhe të gjithë Kosovës. Këtë e ka bërë me votë të lirë, me zgjedhje, pa përbuzje e pa përçmim ndaj askujt. Këtë Gjilani e ka bërë sa herë që në listën zgjedhore e ka pasur Lutfi Hazirin.
E bëri përsëri me 22 Tetor, duke e nxjerrë si liderin më të votuar në garën komunale dhe partinë e tij, LDK’në tonë, si partinë më të madhe në Komunë, gati dyfish më të madhe se partinë kryesore rivale, LVV-në.
Me 19 Nëntor, Gjilani edhe njëherë, e bile koxha në mënyrë plebishitare, do e vulosë fitorën e Lutfi Hazirit, jo për inati të tjetërkujt, por për vizionin e vet. Oponenca jonë politike janë rivalë politik, por jo armiq.
Durimin e kemi virtyt. Ata që po vjellin vnerë mbi Gjilan, urrejtjen e kanë ves. Ne vizionin e kemi udhërrëfyes e ata e kanë ideologjinë e tejkaluar në kohë dhe hapësirë. Ne respektin e kemi pjesë të identitetit politik, ata identitetin e ndërrojnë për interesa politike.
Të pretendosh ta duash Gjilanin me zemër e mendje e të shohësh gjithçka zi në të, është sikur thuash se e flet japonishtën sikur t’ishe lindur e rritur në Japoni, e në të njejtën kohë të mos dijsh asnjë fjalë në atë gjuhë. Këto pretendime falso nuk gjejnë përkrahje në Gjilan – as sot as kurrë.
Gjilani është dhe do të mbetet vatër e zhvillimeve pozitive dhe ngritjes së kulturës politike për të gjithë vendin. Drejtimi që merr Gjilani i jep drejtim krejt Kosovës.
E Gjilanin e ka drejtuar dhe do ta drejtojë edhe në mandatin e ri, kryetari Lutfi Haziri – për të finalizuar projektet madhore për komunën dhe për të vendosur në plan të parë gjilanasit përnjëmend, dhe jo jabangjinjtë falso.
E vërteta, urtësia politike, përkushtimi serioz dhe vlera e qeverisjes së mirë janë sinonim i karizmës së z. Haziri dhe LDK-së.
Tragjikomedia politike, mosdurimi, mosmirënjohja si dhe e pavërteta, janë vese të oponencës sonë. Andaj, gjilanasit e kanë të lehtë zgjedhjen me 19 Nëntor.
Gjilanasit do i thonë PO të madhe Lutfi Hazirit e LDK-së sepse kështu ata nderojnë edhe Gjilanin dhe e bëjnë atë shembull të qeverisjes për gjithë Kosovën!
(Autori është bartës i Listës së LDK’së për Asamble Komunale)