Dy Ardianat në garë për balotazh në Gjakovë, PDK dhe Anton Shala ende nuk japin emra se cilin prej tyre do ta përkrahin
Në Komunën e Gjakovës, tashmë janë numëruar të gjitha votat përveç atyre të personave me nevoja të veçanta. Bazuar në këto rezultate, në Gjakovë do të ketë balotazh mes kandidatit për kryetar nga AAK, Ardian Gjinit dhe atij nga VV, Ardian Golës. Ardian Gjini në këto zgjedhje ka marrë 47,5% të votave ndërkaq Gola i…

Lajme
Në Komunën e Gjakovës, tashmë janë numëruar të gjitha votat përveç atyre të personave me nevoja të veçanta.
Bazuar në këto rezultate, në Gjakovë do të ketë balotazh mes kandidatit për kryetar nga AAK, Ardian Gjinit dhe atij nga VV, Ardian Golës.
Ardian Gjini në këto zgjedhje ka marrë 47,5% të votave ndërkaq Gola i VV-së ka dal i dyti me 31,92% të votave, shkruan lajmi.net.
Kësisoj u pamundësua që Gjini apo Gola të drejtonin komunën që pas 12 tetorit.
Në balotazhin e 9 nëntorit, secili nga ta do të kenë nevojë për përqindjen e votave të partive të tjera që kanë garuar në këto zgjedhje, prandaj përkrahja e secilës prej tyre do të ishte e nevojshme për të dy Ardianët.
Kryetari i degës së PDK-së në Gjakovë, Hajdar Beqa ka thënë për lajmi.net se ende nuk janë në fazën ku mund të flitet se cilën parti do ta mbështesin në këtë balotazh pasi sipas tij po numërohen votat.
“Nuk jemi në atë fazë, ende po numërohen votat e fazës së parë. Pasi që të verifikohet rezultati atëherë mund të vendosim si degë se çka duam të vendosim më tutje. Janë organet e degës së PDK-së, në këtë fazë nuk kemi ndonjë qëndrim. Nuk mund të pranojmë oferta derisa nuk ka rezultate zyrtare të certifikuara. Pasi të numërohen edhe votat që kanë mbet me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta, atëherë në atë fazë jemi të hapur të pranojmë oferta”, ka thënë Beqa për lajmi.net.
Lajmi.net ka biseduar edhe me kandidatin për Kryetar të Gjakovës nga Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës (PSHDK), Anton Shala i cili në zgjedhjet lokale të 12 tetorit ka marrë 6,48% të votave.
Ai ka thënë se ende nuk kanë filluar bisedimet me asnjërën nga dy partitë që do të garojnë në balotazh.