Duke i pritur ditët e mira
AAK përmbylli fushatën për Prishtinën. Ramush Haradinaj pret që Besnik Tahiri do të shkojë në balotazh, e pastaj në raundin e dytë do të fitojë krejt.
Lajme
Besnik Tahiri ka mbyllur fushatën në Prishtinë, i bindur se do të jetë ai i cili do të shkojë në balotazh, më 3 nëntor, kur qytetarët do të vendosin se kush do t’i qeverisë në katër vjetët e ardhshme në Kryeqytet.
Por, lideri i AAK’së, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se Besnik Tahiri nuk e ka përmbyllur fushatën, duke shtuar se kandidati i tij do të shkojë në raundin e dytë dhe aty pastaj edhe do të fitojë.
Haradinaj ka përsëritur fjalinë që e ka thënë vazhdimisht në këto 30 ditë të fushatës elektorale, anembanë. Se ditë të mira do të vijnë për Kosovën.
“E di se është bërë shumë punë, e di se qytetarët e Kosovës e kanë përkrahur projektin për ditë të mira për Prishtinën dhe për Kosovën. Po vijnë ditë të mira në shumë komuna të Kosovës dhe u bëjë thirrje Kryetarëve të Komunave të Kosovës nga Aleanca, LDD dhe Iniciativa me Qytetarë, që të bëhen gati për punë.”
“Besnik, e kam një lajm të keq për ty. Nuk ka përfunduar fushata për ty, do të vazhdojë në raundin e dytë, me gjithë kolegë. Dhe ju ftoj për punë, ashtu sikurse i ftoj për punë të gjithë që rrugëtuam se bashku, që edhe pas datës 3 nëntor kudo që shkojmë në raundin e dytë të punojmë se bashku dhe t’i sjellim qeverisjen fituese Kryeqytetit dhe Kosovës”.
Haradinaj është shprehur i bindur se qeverisja e Besnik Tahirit do t’i sjelël zhvillim dhe prosperitet Kryeqytetit.
Kandidati i AAK’së për Prishtinën, Besnik Tahiri, ndërkaq, ka thënë se gjatë komunikimit me qytetarët e Prishtinës i kanë identifikuar nevojat e tyre.
Ai ka premtuar se me nënshkrimin e kontratës për ndryshim do t’i shkojnë qytetarit aty ku jeton dhe do të krijojnë veprimtari të qartë mes përfaqësimit politik dhe obligimeve që marrin ndaj tyre.
“Ne kemi bërë një vlerësim të thellë të të gjitha problemeve dhe kërkesave të qytetarëve të Prishtinës”.
“Kemi shkuar përtej një komunikimi i cili është komunikim politik, kemi shkuar derë më derë, lagje për lagje, fshat për fshat, për t’i identifikuar të gjitha nevojat që i kanë qytetarët. Në muajin qershor deri shtator e kemi përpiluar programin politik për ndryshimin e Prishtinës, atë që ne e quajmë kontratë për ndryshim, me të vetmin funksion që t’i shkojmë qytetarit aty ku jeton dhe me kontratën për ndryshim do të krijojmë veprimtari të qartë në mes të përfaqësimit politik dhe obligimeve që marrim ndaj tyre”.
Lideri i LDD’së, Nexhat Daci, i cili është në koalicion me AAK’në, ka kërkuar nga prishtinasit që të mos mashtrohen nga subjektet e tjera politike që e përmendin emrin e Presidentit Rugova për të marrë vota.
Sipas tij, as qeverisja e Prishtinës, as e Kosovës, nuk është marrë me rregullimin e varrit të Rugovës, as me realizimin e kërkesave të tij.
“Prishtina për herë të parë, prej 3 nëntorit do të fillojë t’i kryejë detyrat të cilat jemi betuar edhe para 7 vjetësh që do t’i çojmë në vend. Dhe merreni me mend, gropa e Teatrit të Operës në Prishtinë, që ka qenë amanet i Presidentit Rugova, edhe sot e pret Besnikun tonë dhe zgjedhjet e 3 nëntorit që të realizohet.”