Duhet ta përmbyllim konfliktin me Serbinë
Presidentja Atifete Jahjaga dialogun mes Kosovës dhe Serbisë e konsideron si të vetmen mënyrë për të zgjidhur problemet e mbetura mes dy shteteve. Nuk e sheh si një lojë me fitues dhe humbës. Thotë se veprimet e Beogradit i shkaktuan dëme Kosovës.
Lajme
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, thotë se bisedimet me Serbinë hapën rrugën për të tejkaluar gjendjen e konfliktit të ngrirë në Veriun e Kosovës.
Jahjaga në një intervistë për Zërin e Amerikës deklaroi se Kosova po e përmbyllë një vit dinamik në planin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar të zhvillimit të saj.
“Angazhimi ynë i përbashkët këtë vit ishte të forcojmë më tutje subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës në aspektin bilateral përmes njohjes së pavarësisë së saj, dhe aspektin multilateral, duke synuar anëtarësimin e Kosovës në organizata dhe mekanizma ndërkombëtar”.
“Një energji e madhe u kanalizua në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me shtetin fqinj të Serbisë dhe në arritjen e zbatimin e marrëveshjes së 19 prillit që synon të rregullojë marrëdhëniet e komplikuara mes dy shteteve tona, që është pengesë e dukshme edhe në rrugën individuale të shteteve tona drejt anëtarësimit në BE, por edhe ushqen skepticizmin e disa shteteve ndaj Republikës së Kosovës”.
“Këtë vit, ne po ashtu bëmë përparim sa i përket krijimit të kushteve për organizimin e zgjedhjeve të para në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, zgjedhjeve lokale, përmes të cilave krijuam kushtet për integrimin e komunitetit serb në strukturat tona institucionale dhe shoqërore”.
“Përmes këtij procesi arritëm të ruajmë sovranitetin dhe integritetin tonë territorial dhe arritëm të krijojmë kushtet për të hapur një dialog të mirëfilltë brenda Kosovës me komunitetin serb që jeton në katër komunat veriore të Kosovës duke ju ofruar mundësinë që të jenë pjesëmarrës në ndërtimin dhe forcimin e shtetësisë tonë”.
“Duhet të jemi pragmatik. Beogradi, përmes strukturave ilegale në komunat veriore të Kosovës, ka mbajtur peng që një dekadë e gjysmë qytetarët serbë dhe zhvillimin në atë pjesë të vendit”.
“Veprimet e Beogradit i kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm stabilitetit të Kosovës duke e mbajtur në gjendje tensioni”.
Dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Jahjaga e konsideron si të vetmen mënyrë për të zgjidhur problemet e mbetura mes dy shteteve dhe assesi si një lojë me fitues dhe humbës.
“Serbia mund të ketë fituar datë, por ajo me procesin e dialogut dhe marrëveshjen me Kosovën është kushtëzuar në çdo hap të rrugëtimit të saj drejt BE’së”.
“Sa shpejt Serbia do të mbërrijë në BE do të varet nga zbatimi i marrëveshjes dhe nga normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën”.
“Kapitulli 35 i negociatave me BE-në parasheh nënshkrimin e një traktati me peshë ligjore mes Serbisë dhe Kosovës që e shpallë këtë normalizim të përfunduar”.
“Dialogu është e vetmja mundësi për dy vendet tona që t’i zgjidhin çështjet e hapura dhe që kjo e arritur t’i kontribuojë normalizimit të marrëdhënieve si një parakusht për anëtarësim në BE”.
“Duhet ta kuptojmë që si rajon duhet të angazhohemi që të dëshmojmë se kemi një pjekuri politike që na ndanë nga e kaluara jonë e hidhur. Se mësimet janë mësuar dhe vizioni për anëtarësim në BE është përvetësuar unanimisht”.
Sa i përket, bashkësisë së komunave serbe, Jahjaga thotë se ajo do të krijohet në pajtim me Ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
“Nuk do ta ketë asnjë kompetencë më pak e asnjë më shumë”.
“Ne kemi pasur nevojë të tejkalojmë këtë gjendje të konfliktit të ngrirë që ka dominuar që nga viti 1999 në këtë pjesë të territorit të shtetit tonë”.
“Dialogu është mënyra e vetme për të zgjidhur të gjitha çështjet e hapura dhe i ka kontribuar zgjidhjes së problemeve në mes të dyja shteteve tona, i ka kontribuuar stabilitetit të marrëdhënieve në mes të dyja vendeve tona dhe ka hapur një perspektivë krejtësisht tjetër për të gjitha vendet e rajonit”.
“Është e vetmja mënyrë se si të detyrohet Serbia për të përmbushur të gjitha obligimet e saj karshi Kosovës sa i përket shpërbërjes së strukturave ilegale dhe paralele dhe mos luajtjen e rolit të saj destruktiv që ka penguar integrimin e mëtutjeshëm të qytetarëve tanë në atë pjesë të vendit”.
“Ne duhet të kemi guxim, në duhet të kemi kurajo që t’i zgjidhim të gjitha çështjet e hapura që i kemi trashëguar qoftë nga lufta qoftë nga administrimi ndërkombëtar i Kosovës. Konflikti duhet të përfundojë sa më parë që është e mundur me shtetin fqinj të Serbisë dhe duhet të përmbyllet”.
“Në duhet të orientohemi drejt stabilizimit të shtetit tonë, në duhet të orientohemi drejt zhvillimit të shtetit tonë dhe gjithsesi që këtë proces e ndihmon edhe procesi i integrimit në jetën institucionale dhe shoqërore të të gjithë qytetarëve të të gjitha komuniteteve në gjithë territorin e shtetit tonë”.
“Konsideroj që një qasje e tillë siguron integritetin territorial të Kosovës dhe funksionimin e mbarë të saj. Dhe ky stabilitet i brendshëm na garanton një subjektivitet më të madh në arenën ndërkombëtare”.