Dueli në distancë

Shpend Ahmeti reagon ndaj 'komunikatave sulmuese' nga Shtabi i Isa Mustafës. Po ashtu, prezanton programin e tij për Komunë të Hapur.

Lajme

17/10/2013 13:28

Kandidati i Vetëvendosjes për Kryetar të Prishtinës, Shpend Ahmeti, nuk e ka ndërmend të tërhiqet nga argumenti i tij kundër Kryetarit aktual të Komunës, Isa Mustafa.

Ai ka reaguar sot ndaj komunikatave të lëshuara nga Komuna e Prishtinës, nga Shtabi i Isa Mustafës, ku tha se ata e kanë sulmuar atë se nuk po i njeh ligjet.

Reagimi i Ahmetit nuk është bërë nga zyra e tij, por pikërisht para ndërtesës së Komunës së Prishtinës.

“Dje Komuna e Prishtinës me anë të një komunikate më ka sulmuar dhe më ka akuzuar për mosnjohje të ligjit për shkak të programit të cilin e kemi prezantuar dje në një gazetë ditore. Dhe këtu para Komunës kam ardhur që t’ia rikujtoj edhe një herë atë që e kemi prezantuar në muajin shtator e ajo është – Politika Programore Prishtina Komunë e Hapur”.

“Po i them Shtabit të kandidatit Mustafa se për tre ditë i kanë lëshuar tri komunikata të cilat kanë të bëjnë me programin tonë. Mirë që po e lexojnë, mirë që po e analizojnë, por nuk është mirë që po e keqinterpretojnë”.

“Dhe e kisha ftuar që më mirë është që kandidati Mustafa të paraqitet në debate dhe t’i debatojmë këto si profesionistë, si njerëz që duam ta ndryshojmë qytetin, sepse kemi përgjegjësi ndaj qytetarëve, e t’i lënë komunikatat me cinizëm, komunikatat sulmuese ndaj kandidatëve të tjerë”.

“Ata si Komunë nuk duhet të reagojnë ndaj kandidatëve të tjerë. Ata si Komunë duhet të merren me problemet e qytetarëve, sepse në fund të fundit edhe për atë paguhen”.

Shpend Ahmeti përmendi 4 çështjet më të rëndësishme në programin e tij për një Komunë të Hapur, ku përfshihet edhe shkurtimi i afatit kohor për të kthyer përgjigjen në pyetjet që i drejtohen Komunës.

“Ne e kemi shkurtuar në 30 ditë, sepse ligji thotë që mund të jetë më shkurt, nuk bën më gjatë dhe ne e dimë që sot mbi 70 % të të gjitha kërkesave nuk kanë marrë përgjigje prej Komunës. Dhe këtu e kemi marrë model transparencën radikale e cila është e shteteve baltike, këtë e ka bërë edhe Bashkia e Tiranës.”

“Ligji për Qasje në Dokumente Publike kërkon që Komuna dhe çdo institucion të përgjigjet brenda 7 ditëve. Këtë afat ne do ta zvogëlojmë në 3 ditë.”

“E treta ka të bëjë me punësimin anonim. Pra, ata që aplikojnë në një vend pune mbushin një formular, por nuk e shkruajnë emrin, sepse ata që e konsiderojnë pastaj aplikacionin e shohin vetëm se çfarë përvoje, çfarë eksperience ka personi, deri sa të vijë në listën e ngushtë të njerëzve”.

“Dhe e fundit dhe më e rëndësishmja, është prokurimi publik. Ne duam të japim shembull se si do të bëhet një prokurim i hapur publik. Në çdo hapje të ofertave dhe gjatë procesit do t’i ftojmë jo vetëm shoqërinë civile, qytetarët dhe po ashtu edhe Agjencionin Anti Korrupsion dhe menjëherë do t’i publikojmë pronarët e kompanive dhe specifikacionet”, ka thënë Ahmeti.