Dreshaj: Vendimi i GJK-së, zvarrit zgjidhjen e problemit, veprimet në seancën e fundit të kundërligjshme
Pas ankesës së Listës Serbe, Gjykata Kushtetuese, vendosi masë të përkohshme. Kushtetuesja i’u ka ndaluar çdo veprim deputetëve dhe procedurë për formimin e Qeverisë deri me datën 30 shtator. “TË CAKTOJË ex officio dhe sipas kërkesës së parashtruesve masën e përkohshme përmes të cilës ndalohet çdo veprim i deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës…

Lajme
Pas ankesës së Listës Serbe, Gjykata Kushtetuese, vendosi masë të përkohshme.
Kushtetuesja i’u ka ndaluar çdo veprim deputetëve dhe procedurë për formimin e Qeverisë deri me datën 30 shtator.
“TË CAKTOJË ex officio dhe sipas kërkesës së parashtruesve masën e përkohshme përmes të cilës ndalohet çdo veprim i deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe çdo procedurë për formimin e Qeverisë;”, thuhet në vendimin e saj.
Në lidhje me vendimin e Gjykatës ka folur ish-deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj.
Dreshaj tha se ‘vendi nuk mund të udhëhiqet me inate dhe me mosrespektim të Kushtetutës dhe legjislacionit ekzistues’.
Ai potenci se ngërçi i kompletimit të strukturave të Kuvendit, nga një fazë ku mund të zgjidhej me një marrëveshje politike, tashmë ka hyrë në një fazë tjetër, shumë më të rrezikshme.
“Vendi nuk udhëhiqet me inate dhe me mosrespektim të Kushtetutës dhe legjislacionit ekzistues.Thënia ime e mëhershme se mosdakordimet politike nuk mund të zgjidhen me norma administrative apo ligjore, sërish po vërtetohet. Ngërçi i kompletimit të strukturave të Kuvendit, nga një fazë ku mund të zgjidhej me një marrëveshje politike, tashmë ka hyrë në një fazë tjetër, shumë më të rrezikshme dhe më të vështirë të tejkalueshme.Sipas Rregullores së Kuvendit, grupi parlamentar nga komuniteti serb e propozon nënkryetarin e Kuvendit, i cili duhet të mbështetet nga 2/3 e komunitetit dhe të marrë së paku 61 vota në tërësi në momentin e votimit në Kuvend. Me Kushtetutë, komunitetit serb, me përfaqësimin aktual në Kuvend, i takon posti i një ministri dhe dy zëvendëskryeministrave” tha Dreshaj për “Gazeta Blic”.
Dreshaj tha se veprimet e bëra në seancën e fundit të Kuvendit beson se janë të kundërligjshme.
Ai tha se vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuse zvarrit edhe më tej zgjidhjen e problemit.
“Veprimet e bëra në seancën e fundit të Kuvendit, mendoj se janë të kundërligjshme, po ashtu edhe mbyllja e seancës konstituive duke e shpallur Kuvendin e konstituuar pa përfaqësimin serb. Serbët janë kategori kushtetuese e barabartë dhe qytetarë të barabartë në Kosovë.Mungesa e vullnetit politik për bashkëpunim dhe adresimi i çështjeve të tilla në Gjykatën Kushtetuese rrezikon të krijojë precedentë procedural dhe prolongime të paarsyeshme. Ky vendim i GJK-së e zvarrit edhe më tej zgjidhjen e problemit. Përveç këtij problemi, nëse nuk zgjidhet shpejt kompletimi i strukturave menaxheriale të Kuvendit dhe krijimi i Qeverisë, vendi do të përballet edhe me krizë ekonomike, për shkak të mosaprovimit të Buxhetit.Unë apeloj, së pari te VV, që të ndërgjegjësohet për situatën në të cilën ndodhemi dhe të kthejë vendin në korniza normale funksionale.” tha Dreshaj