Drenas: Asamblisti akuzon për ndotje të ajrit, specialistët e mohojnë

Tymi i oxhaqeve të fabrikës së Ferronikelit dyshohet se është ndotësi kryesor i ajrit në komunën e Drenasit. Kështu pretendon njëri nga asamblistët e Kuvendit Komunal, i cili ka bërë kallëzim penal në prokurorinë e shtetit për këtë gjë.

Lajme

15/03/2015 09:39

Xhavit Drenori akuzon Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, si aktor kryesor që ka pajisur kompaninë NeWCO Feronikel me Leje Mjedisore të Integruar, pa bërë monitorimin e duhur për mjedis.

“Më 2014, më 30 tetor, ministria i lëshoi lejen mjedisore, dhe kjo është shumë shqetësuese se si mundë të lëshohet leja pa u monitoruar fare mjedisi në komunën e Drenasit, duke e pasur parasysh se Ferronikeli është njeri nga ndotësit më të mëdhenj në Kosovë…”, ka thënë Drenori për RTK-në.

Drenori thotë se të dhënat që janë marrë nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik tregojnë se vetëm në vitin 2014 janë të prekur nga sëmundja e kancerit 211 persona, ndërsa shkaktar kryesor dyshohet se është mjedisi i ndotur.

Edhe kryetari i Komunës së Drenasit, Nexhat Demaku, shprehet se niveli i ndotjes së ambientit në këtë komunë është i lartë. Por ai thotë se vitet e fundit ka shkuar drejt përmirësimit.

“Ne e dimë që ambienti në Kosovë nuk është një ambient që i plotëson standardet. Ne e dimë që shpesh kanë ndodh matjet në shumë vende në Kosovë… ndotja mundet me qenë 18 herë më e lartë se mesatarja, rasti i fundit që ka qenë në Prishtinë…”, ka thënë Demaku.

E zyrtarë të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit thonë se asnjë kompani nuk mund të pajiset me leje nëse nuk i plotëson kushtet e parapara me ligj.

“Ministria e Mjedisit ka lëshuar leje të integruar në fund të viti 2014, duke pas parasysh se janë plotësuar kushtet për të marrë leje të integruar”.

Por, specialistët për cilësinë e ajrit në Kosovë pranojnë se ka tejkalim të vlerave të ndotjes mbi normalen, duke theksuar se ky tejkalim megjithëkëtë nuk mund të jetë shqetësues.

“Nga monitorimi i rregullt që kemi bërë gjatë janarit, shkurtit dhe në muajin mars, nuk kemi tejkalim të vlerave të gazrave, kemi një tejkalim të vlerave PM, që nuk është tejkalim serioz…”, thotë Shkumbin Shaka, specialist për cilësinë e ajrit.

Sipas tij, vlera e cilësisë së ajrit në komunën e Drenasit është e njëjtë sikurse në të gjitha komunat tjera të Kosovës. (Rtklive)