Drejtori i Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore: Veprimet e Përparim Ramës kanë kaluar çdo normë institucionale
Drejtori i Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore në MKRS, Imer Hakaj, ka komentuar veprimet e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, mbi ndërhyrjet në sheshin ‘’George Bush’’. Ai thotë se lëvizjet e Përparim Ramës kanë kaluar çdo normë institucionale. “Zotohem se nuk kemi bërë kurrë asnjë veprim për të frikësuar a dëmtuar ndonjë zyrtar të ndonjë institucioni…

Lajme
Drejtori i Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore në MKRS, Imer Hakaj, ka komentuar veprimet e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, mbi ndërhyrjet në sheshin ‘’George Bush’’.
Ai thotë se lëvizjet e Përparim Ramës kanë kaluar çdo normë institucionale.
Deklaratë mbi Ndërhyrjet e Pa-autorizuara dhe Presionet ndaj Institucioneve të Trashëgimisë Kulturore. Në lidhje me lëndën e pranuar nga Komuna e Prishtinës në IKMM sipas detyrimeve ligjore, që lidhet me ndërhyrjet në Sheshin “Xhorxh Bush”, ku po përballemi me sulme të vazhdueshme dhe të paarsyeshme nga të gjitha anët ndaj punës sonë zyrtare si drejtues të institucioneve të trashëgimisë kulturore.
Këto sulme përfshijnë kallëzime penale ndaj inspektorëve të fushës dhe kërcënime publike ndaj zyrtarëve profesionalë, të cilët janë të mandatuar me ligj për të mbikëqyrur asetet dhe zonat e mbrojtura sipas Ligjit Nr. 02/L-088 për Trashëgiminë Kulturore dhe akteve tjera ligjore. Këto veprime përbëjnë presion të drejtpërdrejtë dhe të pajustifikueshëm, që synon të ndërhyjë në ushtrimin e detyrave tona zyrtare.
Zyrtarë të Komunës, përfshirë edhe Kryetarin e Prishtinës z. Përparim Rama, kanë publikuar në mënyrë selektive fragmente të dokumenteve zyrtare, duke nxjerrë nga konteksti qëllimin dhe përmbajtjen e tyre, me synim krijimin e një perceptimi të rremë në publik. Nëse synohet transparence e plotë, atëherë duhet të publikohen në tërësi edhe Vendimet e ITK-së për ndalim të punimeve të paautorizuara, procesverbalin me pranim e nënshkrim zyrtar nga Drejtori i Komunës së Prishtinës për ndalimin e punimeve në Sheshin “Xhorxh Bush”, dhe të gjithë dokumentacionin mbështetës, që tregojnë vendimmarrjen ligjore në këtë proces. Për më tepër, është me rëndësi që opinioni publik të informohet drejt dhe plotësisht, jo në mënyrë të pjesshme e tendencioze.
Në këtë kontekst, është e rëndësishme të theksojmë se Kryetari i Prishtinës, z. Përparim Rama, me përgatitjen e tij akademike dhe profesionale nga jashtë vendit në fusha të ndërlidhura me urbanizmin dhe planifikimin hapësinor, pritej të ishte shembull për respektimin e procedurave ligjore dhe të trashëgimisë kulturore. Për fat të keq, veprimet e deritanishme nuk përputhen me këtë pritshmëri.
Kujtojmë se Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore, i themeluar në vitin 2018 në kuadër të MKRS-së, është institucion zyrtar dhe i rregulluar me ligj bazë dhe vepron vetëm brenda kornizës së kompetencave të përcaktuara me ligj.
Veprimet e Komunës së Prishtinës, përfshirë deklaratat publike të Kryetarit Rama dhe të kolegëve të tij, tashmë e kanë kaluar çdo normë të sjelljes institucionale. Sulmet që fillojnë nga lart po ndikojnë negativisht edhe në opinionin publik të Institucionit qe udhëheq unë si Drejtor Ekzekutiv i ITK, duke nxitur qytetarë dhe përkrahës të tyre të shfaqin sjellje fyese dhe kërcënuese ndaj inspektoreve dhe zyrtarëve të trashëgimisë kulturore.
Zotohem se nuk kemi bërë kurrë asnjë veprim për të frikësuar a dëmtuar ndonjë zyrtar të ndonjë institucioni tjetër, dhe e dimë po aq mirë sa edhe ju, se as ne nuk duhet të jemi viktima të frikësimeve, ofendimeve e kërcënimeve për shkak të detyrës sonë zyrtare. Thirrjet dhe sulmet e përditshme janë të patolerueshme dhe po e rëndojnë tej mase punën tonë institucionale.
Komuna e Prishtinës ju informoj se sipas obligimeve ligjore ka dorëzuar kërkesë zyrtare në IKMM-së si Institucion përgjegjes për shqyrtim dhe vlërsim të projektit për ndërhyrje në zonën e mbrojtur të Sheshit “Xhorxh Bush” në Prishtinë.
IKMM, në bashkëpunim me QRTK-në, ka kërkuar plotësimin e dokumentacionit për vlerësim të mëtejshëm, siç kërkohet me ligj në rastet kur projektet prekin asetet e trashëgimisë kulturore ose zonat përreth tyre.
Sot kam kërkuar si Drejtor i ITK-së që me urgjencë kjo lëndë të trajtohet pas pranimit të dokumentacionit sipas rekomandimeve dhe shqyrtohet me prioritet të lartë nga IKMM në bashkëpunim me QRTK-Prishtinë, në mënyrë që të plotësohen të gjitha rekomandimet ligjore të lëshuara më herët nga institucionet përkatëse.
Prandaj, me përgjegjësi të lartë zyrtare, i bëjmë thirrje Kryetarit të Komunës së Prishtinës dhe të gjithë zyrtarëve që të ndalin menjëherë sulmet e padrejta publike dhe private, të cilat e tejkalojnë çdo normë institucionale dhe ligjore. Ne nuk jemi as armiku juaj, as pengesë për zhvillim – por garantues të ligjshmërisë në një sektor shumë të ndjeshëm për identitetin dhe historinë e këtij vendi.
Ftojmë qytetarët, mediat dhe të gjitha institucionet që të mos bien pre e këtyre manipulimeve dhe të kuptojnë se veprimet tona janë tërësisht ligjore, transparente dhe profesionale. Askush nga ne nuk ka bërë veprime të paligjshme – ashtu siç asnjë zyrtar nuk ka të drejtë të na frikësojë apo ofendojë për shkak të përmbushjes së detyrave tona.
Përgjegjësia për tensionimin e kësaj situate bie mbi ata që kanë zgjedhur rrugën e presionit publik në vend të bashkëpunimit dhe respektimit të ligjit. Këto sjellje duhet të ndalen menjëherë. Ne nuk jemi armiku i askujt – ne jemi garantues të ligjshmërisë dhe të trashëgimisë sonë kulturore, të cilën kemi detyrë dhe nder që ta mbrojmë.
Deri sot kemi mbetur të durueshëm në tejkalim të vetëvetës. Por tanimë, çdo tejkalim, ofendim apo presion publik kërkoj publikisht që të trajtohet institucionalisht dhe ligjërisht. Apeloj për ndërgjegje, ndershmëri dhe respekt të ndërsjellë në shërbim të interesit publik.
Njoftimi im është bërë për të gjitha kërkesat e vazhdueshme që kam pranuar dje dhe sot nga mediat tona shumë të respektuara. Prandaj unë po ndihem me përgjegjesi të shkruaj keto fjalë, sepse gjatë gjithë kohës keni qënë të drejta në informim për publikun. Prandaj duke e llogaritur kohën time zyrtare dhe private, nuk po gjej kohë dhe mundësi për tu përgjigjur drejt në çdo moment të interesit të përgjithshëm.
I juaj,
Imer HAKAJ, Drejtor i Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore në MKRS.