Drejtori i APK-së: Një palë e tretë ka pretenduar nga jashtë se ka pasur mospërputhje në pasurinë e presidentes Osmani

Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, ka dhënë detaje rreth procesit të verifikimit të pasurisë dhe deklarimit të saj, duke përfshirë edhe rastin e presidentes Vjosa Osmani. Ne një intervistë për lajmi.net, ai ka bërë të ditur se verifikimi i pasurisë së Osmanit ka ardhur si rezultat i një raportimi nga jashtë.…

Lajme

17/03/2026 19:38

Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, ka dhënë detaje rreth procesit të verifikimit të pasurisë dhe deklarimit të saj, duke përfshirë edhe rastin e presidentes Vjosa Osmani.

Ne një intervistë për lajmi.net, ai ka bërë të ditur se verifikimi i pasurisë së Osmanit ka ardhur si rezultat i një raportimi nga jashtë. “Një palë e tretë ka pretenduar nga jashtë se ka pasur mospërputhje në pasurinë e presidentes Osmani”, ka deklaruar Buleshkaj.

Sipas tij, Agjencia ka tre forma përmes të cilave e bën verifikimin e pasurisë. “Agjencia ka tre mënyra për verifikimin e pasurisë: 1. përmes shortit, 2. ex officio nga brenda dhe 3. përmes raportimit nga jashtë”, ka thënë ai, duke shtuar se në rastin e presidentes është përdorur metoda e tretë: “Te presidentja Vjosa Osmani kemi shkuar me këtë të tretën”.

Duke folur për procesin e përgjithshëm të deklarimit, Buleshkaj ka theksuar se numri i zyrtarëve të obliguar është i madh, por jo të gjithë e kanë përmbushur ende këtë detyrim. “10,350 janë të obliguar ta kryejnë deklarimin e rregullt të pasurisë, tashmë e kanë përfunduar 2,270”, ka bërë të ditur ai.

Ai ka veçuar gjithashtu se në mesin e atyre që duhet të deklarojnë pasurinë janë edhe kategori të ndryshme profesionale. “1,350 mjekë dhe profesorë detyrohen të deklarojnë pasurinë”, ka thënë Buleshkaj.

Në rastet kur ky obligim nuk përmbushet, drejtori i Agjencisë ka paralajmëruar masa ndëshkuese, duke theksuar se tashmë ka pasur edhe ndëshkime konkrete. “Janë gjobitur edhe policë hetues”, është shprehur ai.

Buleshkaj ka rikujtuar se afati për deklarimin e pasurisë është i prerë dhe nuk do të ketë shtyrje. “Data e fundit e deklarimit të pasurisë është 31 mars dhe nuk do të shtyhet asnjë ditë”, ka thënë ai, duke paralajmëruar edhe pasojat për mosdeklarim: “Nëse nuk deklarohet pasuria, atëherë pason gjoba me 30% të pagës mujore”.

Intervista e plotë e dhënë për lajmi.net: