Dramatike: Joe Biden viziton nesër Izraelin
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, njoftoi pas një takimi me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, se Izraelin do ta vizitojë të mërkurën Presidenti amerikan Joe Biden, për të riafirmuar solidaritetin e Shteteve të Bashkuara për Izraelin. Sekretari Blinken njoftoi gjithashtu se ishte rënë dakort me Izraelin për një plan që do të mundësojë që furnizimet…
Bota
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, njoftoi pas një takimi me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, se Izraelin do ta vizitojë të mërkurën Presidenti amerikan Joe Biden, për të riafirmuar solidaritetin e Shteteve të Bashkuara për Izraelin. Sekretari Blinken njoftoi gjithashtu se ishte rënë dakort me Izraelin për një plan që do të mundësojë që furnizimet me ndihma humanitare të mbërrijnë tek civilët në Gaza.
Menjëherë pas këtij njoftimi, nga Uashingtoni zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, informoi se Presidenti Biden do të udhëtojë edhe drejt Jordanisë për t’u takuar me Mbretin Abdullah, Presidentin egjiptian Abdel Fattah el-Sissi dhe me Presidentin palestinez Mahmoud Abbas, raporton VOA.
Zyrtarët amerikanë patën thënë paraprakisht se Presidenti Joe Biden po shqyrtonte mundësinë e një vizite në Izrael, por nuk kishin njoftuar plane konkrete udhëtimi.
Presidenti Biden shprehu më herët mbështetje për përgjigjen e Izraelit ndaj Hamasit, duke thënë gjatë një interviste në emisionin “60 Minutes” të kanalit CBS se Izraeli do t’i kundërvihet “një grupi njerëzish që janë angazhuar në barbarizëm që është me po aq pasoja sa edhe Holokausti”.
Presidenti Biden tha se Izraeli do të bëjë “gjithçka të mundur për të shmangur vrasjen e civilëve të pafajshëm”.
Ai gjithashtu tha se do të ishte “një gabim i madh” nëse Izraeli do të pushtonte Rripin e Gazës.
Më herët gjatë ditës, Izraeli bëri sulme të reja me raketa ndaj Gazës, ndërsa u zotua të eliminojë kontrollin e Hamasit mbi territorin e ngushtë palestinez përgjatë Detit Mesdhe.
Me 300 mijë forca izraelite të dislokuara pranë kufirit me Gazën dhe të përgatitura për një sulm tokësor, Ministri i Mbrojtjes Yoav Galant i tha Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, se: “Kjo do të jetë një luftë e gjatë. Çmimi do të jetë i lartë, por ne do të fitojmë, për Izraelin, për popullin hebre dhe për vlerat në të cilat besojnë të dyja vendet tona”.
Kryediplomati amerikan e siguroi Ministrin Gallant për mbështetjen amerikane.
“E dini përkushtimin tonë të thellë për të drejtën e Izraelit, në të vërtetë detyrimin e tij, për të mbrojtur veten dhe popullin e tij”, tha Sekretari Blinken.
Qindra mijëra palestinezë kanë zbatuar urdhërat e dhëna nga Izraeli për të evakuar Gazën veriore, drejt pjesës jugore të këtij territori. Kriza humanitare po përshkallëzohet me shpejtësi ndërsa territori vazhdon të jetë nën rrethimin e plotë izraelit, pa furnizime të reja në ushqime, karburant, apo ujë që nga e hëna.
“Vazhdon të mos ketë ujë për shumicën dërrmuese të popullsisë në Gaza”, tha Juliette Touma, zëdhënëse e agjencisë së OKB-së që ndihmon palestinezët, UNRWA.
“Bëhet fjalë për 2 milionë njerëz në Rripin e Gazës që nuk kanë ujë, dhe uji po mbaron, uji është jetë, dhe jeta po mbaron në Gaza”.
UNRWA tha të hënën se nuk ka mjaftueshëm qefinë për të mbledhur trupat e të vdekurve në Gaza.
Zonja Touma tha se rreth 1 milion palestinezë kanë ikur drejt jugut dhe gati 400,000 prej tyre janë strehuar kryesisht në shkollat e UNRWA-s. Një grup po strehohet në një depo të UNRWA-s, për të cilën zonja Touma tha se nuk është e pajisur për të qenë strehim.
UNRWA ka vendosur një ekip fillestar në Egjipt për t’u përgatitur për hapjen e mundshme të një korridori humanitar për të sjellë furnizime me ndihma në Gaza.
Sekretari Blinken, i rikthyer në Izrael të hënën pasi vizitoi disa vende arabe në rajon, tha se Shtetet e Bashkuara po punojnë me Egjiptin, Izraelin dhe Kombet e Bashkuara për t’u siguruar se ndihmat do të hyjnë në Gaza për të arritur tek ata që kanë nevojë.
“Gjatë ditëve të fundit, kam udhëtuar në Izrael, Jordani, Bahrein, Katar, Emiratet e Bashkuara Arabe, në Arabinë Saudite dhe në Egjipt”, shkruajti të hënën Sekretari Blinken në rrjetin social X. “Ajo që kam dëgjuar nga secili partner është pikëpamja e përbashkët për të parandaluar përhapjen e konfliktit, për të ruajtur jetët e të pafajshmëve, dhe për t’i dërguar ndihma atyre që iu nevojiten në Gaza”.
OKB-ja njoftoi se drejtuesi për operacionet e ndihmave, Martin Griffiths, do të shkojë në Egjipt të martën për një vizitë disaditore dhe se planifikon të vizitojë edhe Izraelin
Ndërkohë, numri i të vdekurve nga sulmi i Hamasit në Izrael më 7 tetor dhe sulmet ndëshkuese të Izraelit në Gaza po rritet. Ministria e Shëndetësisë në Gaza tha se 2,750 palestinezë janë vrarë dhe 9,700 janë plagosur. Më shumë se 1,400 izraelitë janë vrarë dhe të paktën 199 të tjerë, përfshirë fëmijë, u kapën nga Hamasi dhe u morën si pengje në Gaza, sipas Izraelit.
“Përpjekjet për pengjet janë një përparësi kryesore kombëtare”, tha zëdhënësi ushtarak, kundëradmirali Daniel Hagari. “Ushtria dhe Izraeli po punojnë gjatë gjithë kohës për t’i rikthyer ata”.
Ekziston frika se luftimet mund të zgjerohen në kufirin e Izraelit me Libanin, ku grupi militant i mbështetur nga Irani, Hezbollah, tha se luftëtarët e tij goditën pesë poste izraelite përgjatë kufirit jugor të Libanit.
Duke folur në parlamentin izraelit të hënën, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu paralajmëroi Iranin dhe Hezbollahun: “Mos na testoni në veri. Mos bëni gabimin e së kaluarës. Sot, çmimi që do të paguani do të jetë shumë më i rëndë”, tha ai, duke iu referuar luftës së Izraelit me Hezbollahun në vitin 2006.
Pas një serie sulmesh ndërkufitare në Izraelin verior nga militantët e Hezbollahut në Liban, Izraeli njoftoi të hënën evakuimin e banorëve nga 28 fshatra brenda një rrezeje prej dy kilometrave nga kufiri.
Kombet e Bashkuara kanë një mision paqeruajtës në Libanin jugor që monitoron kufirin me Izraelin. OKB tha të hënën se selia e saj në qytetin libanez Naqoura u godit dhe se nuk pati të lënduar. Një zëdhënës tha se OKB-ja po heton për të parë se kush e goditi objektin.