Drafti për zgjerimin e BE-së: Kosova pa përparim në fushat themelore, Mali i Zi drejt përfundimit të negociatave
Mali i Zi mund t’i përfundojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian në dhjetor të vitit 2026, ndërsa Serbia, Bosnje e Hercegovina dhe Kosova nuk kanë shënuar përparim në të ashtuquajturat fusha themelore. Kështu thuhet në draftin e komunikatës vjetore të Komisionit Evropian (KE) për politikën e zgjerimit, të cilën ky institucion pritet ta publikojë…
Lajme
Mali i Zi mund t’i përfundojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian në dhjetor të vitit 2026, ndërsa Serbia, Bosnje e Hercegovina dhe Kosova nuk kanë shënuar përparim në të ashtuquajturat fusha themelore. Kështu thuhet në draftin e komunikatës vjetore të Komisionit Evropian (KE) për politikën e zgjerimit, të cilën ky institucion pritet ta publikojë javën e ardhshme.
Paketa e zgjerimit është një tërësi dokumentesh përmes të cilave Komisioni Evropian vlerëson përparimin e vendeve kandidate dhe kandidate potenciale drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në bazë të saj, shtetet anëtare vendosin për hapat e mëtejshëm në negociatat e anëtarësimit, si hapja dhe mbyllja e kapitujve.
Në draftin, të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë (REL), vlerësohet se përparimi i vendeve të rajonit vazhdon të jetë i pabarabartë.
“Serbia, Bosnje e Hercegovina dhe Kosova nuk kanë shënuar përparim në fushat themelore”, thuhet në dokument. Fushat themelore përfshijnë sundimin e ligjit, institucionet demokratike, reformën e administratës publike dhe kriteret ekonomike, dhe përcaktojnë ritmin e përgjithshëm të negociatave.
Komisionit, Podgorica i ka përmbushur kriteret përfundimtare në të gjithë kapitujt e negociatave dhe mund t’i përfundojë negociatat deri në fund të këtij viti.
“Përparimi i jashtëzakonshëm i Malit të Zi në negociatat e anëtarësimit me BE-në dëshmon se zgjerimi mbetet një realitet i arritshëm”, thuhet në draft.
Komisioni vlerëson gjithashtu se Mali i Zi ka avancuar me vendosmëri punën në fushat themelore, me rezultate të mira në sundimin e ligjit, qeverisjen ekonomike dhe reformën e administratës publike. Si dëshmi se Mali i Zi prin në procesin e zgjerimit, përmend punën për traktatin e anëtarësimit dhe propozimin e Komisionit për paketën financiare.
Në traktatin e anëtarësimit të Malit të Zi do të zbatohej për herë të parë një “qasje e përforcuar” ndaj klauzolave mbrojtëse. Traktati, siç thuhet, do të shërbente si model për traktatet e ardhshme të anëtarësimit.
Ndër reformat e Malit të Zi, Komisioni veçon ndryshimet kushtetuese që kanë forcuar pavarësinë e Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial, “plotësisht në përputhje” me rekomandimet e BE-së dhe të Komisionit të Venecias. Përmend gjithashtu politikën e tolerancës zero ndaj sulmeve kundër gazetarëve, si dhe përafrimin e politikës së vizave me atë të BE-së nga 31 tetori 2026.
Ndoshta raporti i fundit për Malin e Zi
Komisioni Evropian thotë se raporti i sivjetmë për Malin e Zi mund të jetë raporti i fundit i rregullt për këtë vend, pasi pritet që procesi i negociatave të anëtarësimit të përfundojë së shpejti. Nga viti i ardhshëm, atë do ta zëvendësonin raportet e monitorimit, ndërsa deri në anëtarësim do të krijohej një mekanizëm për mbikëqyrjen e përmbushjes së detyrimeve të marra.
Komisioni i përgatit raportet e monitorimit në periudhën mes përfundimit të negociatave të anëtarësimit dhe hyrjes së vendit në BE. Në këtë fazë nuk vlerësohet më përparimi në negociata, por verifikohet nëse vendi po i përmbush detyrimet e marra gjatë tyre dhe nëse po i përfundon reformat e mbetura deri në ditën e anëtarësimit.
Pas konferencës së fundit ndërqeveritare, Mali i Zi do të merrte statusin e vëzhguesit aktiv në shumicën e grupeve të punës të Këshillit të BE-së.
Mali i Zi, Shqipëria, Moldavia dhe Ukraina janë të vetmet vende për të cilat Komisioni paraqet në aneksin e dokumentit “udhërrëfyes” me afate dhe objektiva për përfundimin e negociatave.
Serbia: Presion ndaj shoqërisë civile dhe gjyqësorit
Për Serbinë, drafti përmban kryesisht vlerësime kritike dhe konstaton mungesë përparimi në fusha kyç, si sundimi i ligjit dhe liria e shprehjes. Thuhet gjithashtu se përafrimi i Serbisë me politikën e jashtme të BE-së mbetet i ulët.
Sa i përket gjyqësorit, Komisioni vëren se regresi fillestar i shkaktuar nga miratimi i të ashtuquajturave “ligje të Mërdiqit” është korrigjuar më pas. Ky regres, thuhet në draft, ishte shkaktuar nga ndryshimet ligjore që hoqën një pjesë të garancive për autonominë e prokurorisë dhe pavarësinë e gjyqësorit. Njëkohësisht, vlerësohet se në Serbi “presioni i papërshtatshëm është rritur ndjeshëm”.
Serbia përmendet si vend ku, krahas Bosnje e Hercegovinës, Gjeorgjisë dhe Turqisë, rreziku i “kapjes së shtetit” mbetet i theksuar. Ky term përshkruan një situatë në të cilën grupe të ngushta interesi i vendosin institucionet nën kontrollin e tyre.
Ndër zhvillimet pozitive përmendet përfshirja e Serbisë në shtrirjen gjeografike të Zonës së Vetme të Pagesave në Euro (SEPA). Ka nisur gjithashtu puna përgatitore për një marrëveshje mbi vlerësimin e përputhshmërisë së produkteve industriale.
Bosnje e Hercegovina: Fragmentim politik
Për Bosnje e Hercegovinën, Komisioni vlerëson se funksionimi i pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ është vështirësuar nga fragmentimi politik. I njëjti vlerësim është dhënë edhe për Kosovën.
“Në Bosnje e Hercegovinë duhet të përmirësohen pavarësia dhe paanshmëria e gjyqësorit, ndërsa reformat ligjore dhe verifikimet e integritetit janë kyç për rikthimin e besimit të publikut në sistemin gjyqësor”, thuhet në draft.
Komisioni i bën thirrje Bosnje e Hercegovinës që “t’i përkushtohet plotësisht” planit të veprimit të Task-Forcës së Veprimit Financiar (FATF). Është vlerësuar pozitivisht vazhdimi i përafrimit të plotë të vendit me politikën e jashtme të BE-së, si dhe miratimi i një vlerësimi të ri të kërcënimit