Dosja e ZPS-së: Si funksionoi Shërbimi i Inteligjencës dhe Policia në UÇK e në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës?

Në dosjen e saj përfundimtare në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Prokuroria e vë Kadri Veselin në krye të strukturës së inteligjencës në UÇK, si dhe në kohën e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës (QPK), e pas saj deri në formimin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI). Prokuroria pretendon se që…

Lajme

01/06/2026 20:32

Në dosjen e saj përfundimtare në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Prokuroria e vë Kadri Veselin në krye të strukturës së inteligjencës në UÇK, si dhe në kohën e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës (QPK), e pas saj deri në formimin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI).

Prokuroria pretendon se që nga themelimi i UÇK-së ishte identifikuar nevoja për inteligjencë dhe se gjatë pranverës së 1998-ës, persona të ndryshëm po ngarkoheshin në mënyrë aktive me mbledhjen e informacioneve. Veç kësaj, thuhet se komunikatat shprehimisht e pranonin ekzistencën e një funksioni të inteligjencës, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Gjatë atij viti, thuhet se u themelua Drejtoria e Inteligjencës nën drejtimin e Veselit, i cili gjatë gushtit të vitit 1998 pecifikohet se mbikëqyrte trajnimet për afërsisht 20 persona në këtë fushë të cilët më pas do të formonin bërthamën e shërbimit.

Prokuroria thotë se kjo pozitë e Veselit u rikonfirmua nga Shtabi i Përgjithshëm në nëntor të 1998-ës gjatë ristrukturimit.

Në dosje përmendet edhe rregullorja e shërbimeve të inteligjencës, për të cilën pretendohet se u shpërnda në zonat operative, e që për detyrë jepte zbulimin e personave të rëndësishëm për armikun brenda ose jashtë vendit, si dhe jepnin kompetenca për arrestimin ose vrasjen e tyre.

Për Veselin, Prokuroria thotë se ishte i pranishëm në terren në disa zona gjatë 1998-ës me qëllimin për të kryer hetime dhe për të trajtuar ankesa.

Duke folur për Zonën e Drenicës, Prokuroria thotë se ishte një njësi e inteligjencës e përbërë nga Sabit Geci dhe Ismet Haxha të cilët i raportonin drejtpërdrejt Kadri Veselit.

Për Gecin, Prokuroria thotë se e vazhdoi këtë rol edhe më 1999-ën në Shqipëri gjatë së cilës periudhë, sipas tyre, mori pjesë edhe në krime të tjera.

Prokuroria pretendon se brenda zonave, raportet e inteligjencës pranoheshin rregullisht dhe përpilohej nga shefi i inteligjencës në nivel zone, i cili më pas dërgohej tek komandanti i zonës si dhe te Shtabi i Përgjithshëm.

Prokuroria pretendon se sipas rregullave, Komandanti i Zonës kishte përgjegjësinë për t’ia përcjellë informacionin e inteligjencës Drejtorisë së Inteligjencës. Megjithatë, thuhet se në praktikë, raportimi i drejtpërdrejtë nga personeli i inteligjencës te Shtabi i Përgjithshëm gjithashtu ndodhte, veçanërisht për çështje të ndjeshme si kundërzbulimi.

Tutje, thuhet se një raportim i tillë paralel ishte veçanërisht i përhapur në Zonën e Pashtrikut, ku për një periudhë të caktuar, Komandanti i Zonës ishte një ushtarak profesionist që personeli i inteligjencës në nivel zone e konsideronte si person që “pengonte” punën e tyre.

Ndërsa, në nivel të Shtabit të Përgjithshëm, Prokuroria thotë se Drejtoria e Inteligjencës i raportonte Komandantit të Përgjithshëm (ose, sipas rastit, Zëvendëskomandantit) dhe Shefit të Shtabit. Megjithatë, sikurse në nivelet e tjera të sistemit të raportimit, herë pas here thuhet se raportet e inteligjencës e anashkalonin Bislim Zyrapin si Shef të Shtabit dhe i paraqiteshin vetëm Komandantit.

Sa i përket detyrave dhe përgjegjësive të kësaj strukture, sipas Prokurorisë, ato ishin të mblidhnin informacione për lëvizjet e forcave armike, të identifikonin “bashkëpunëtorët” brenda dhe jashtë UÇK-së dhe të ndërmerrnin “veprime konkrete në shërbim të luftës çlirimtare”.

Theksohet se në përputhje me rregulloret përkatëse, shërbimet e inteligjencës së UÇK-së bashkëpunonin ngushtë dhe mbështeteshin nga Policia Ushtarake dhe njësitë speciale në kryerjen e detyrave të tyre.

Ndërsa, gjatë 1998-ës kur Veseli ndodhej jashtë vendit, Prokuroria thotë se Ferat Shala ishte i vendosur pranë Shtabit të Përgjithshëm dhe ushtronte funksione të inteligjencës.

Gjithashtu, thuhet se në fund të janarit 1999, para se të udhëtonte për në Rambuje, Veseli e solli Mensur Kasumin në Shtabin e Përgjithshëm ku edhe u caktua të ndihmonte Drejtorinë e Operacioneve në çështjet e inteligjencës, gjatë mungesës së Veselit.

Pas kthimit të tij në Kosovë, thuhet se Veseli ishte përsëri aktiv në terren duke përfshirë edhe në çështje që lidhen me ndalimet.

Ndërsa, në fund të marsit 1999, Prokuroria thekson se Veseli u emërua nga Thaçi në Qeverinë e Përkohshme në krye të Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), i cili i raportonte drejtpërdrejt Thaçit.

Në atë kohë thuhet se gjithashtu u krijua një departament i inteligjencës brenda Ministrisë së Mbrojtjes në Qeverinë e Përkohshme nën drejtimin e Abdullah Prapashticës.

Kështu, Prokuroria sqaron se G2-shi kishte mbetur term që formalisht i referohej Drejtorisë së Inteligjencës brenda Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, ZKZ i referohej shërbimeve të inteligjencës në nivel Zone ose Brigade të UÇK-së, ndërsa SHIK i referohej organit shtetëror ose civil të inteligjencës të krijuar nën Qeverinë e Përkohshme të Kosovës.

Kur u formua SHIK, Prokuroria pretendon se G-2 brenda UÇK-së vazhdoi të funksiononte paralelisht nën udhëheqjen e Mensur Kasumit e më pas të Fadil Kodrës.

“Edhe pse VESELI ka pretenduar se pas emërimit si drejtues i SHIK-ut ai nuk kishte më asnjë rol në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, në praktikë – dhe në përputhje me autoritetin e tij të vazhdueshëm si figurë udhëheqëse e UÇK-së/QPK-së, pavarësisht nga çdo rol formal – ai vazhdoi të paraqitej dhe të perceptohej në këtë cilësi, si dhe të vepronte si i tillë, njësoj si edhe anëtarë të tjerë të SHIK-ut. Në fakt, ekzistonte një mbivendosje e konsiderueshme ose transferim i personelit ndërmjet dy organizatave, ku VESELI konfirmoi se grupi fillestar i anëtarëve të UÇK-së që iu nënshtruan trajnimit të inteligjencës në vitin 1998 vazhdoi më pas të formonte “zemrën” e SHIK-ut”, thuhet në dosjen përfundimtare të Prokurorisë.