Dosja e PSKR-së ndaj prokurorit Beqë Shala, dyshohet se kërkoi ryshfet në dy raste
Prokurori special, Valdet Gashi ka kërkuar masën e paraburgimit ndaj Beqë Shalës- prokuror tashmë i pezulluar në Departamentin e Përgjithshëm të Prokurorisë Themelore në Prizren, pasi është arrestuar nën dyshimet për veprën penale ”Marrje ryshfeti”. Seanca dëgjimore ndaj Shalës pritet të mbahet në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku tashmë është sjellë i dyshuari. Shala është arrestuar në…
Lajme
Prokurori special, Valdet Gashi ka kërkuar masën e paraburgimit ndaj Beqë Shalës- prokuror tashmë i pezulluar në Departamentin e Përgjithshëm të Prokurorisë Themelore në Prizren, pasi është arrestuar nën dyshimet për veprën penale ”Marrje ryshfeti”.
Seanca dëgjimore ndaj Shalës pritet të mbahet në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku tashmë është sjellë i dyshuari.
Shala është arrestuar në vendin e tij të punës mëngjesin e së hënës. Arrestimi i tij ka ndodhur gjatë zhvillimit të një hulumtimi nga “Betimi për Drejtësi” që ka siguruar një video-incizim, në të cilin prokurori Shala dyshohet se më 25 gusht 2022 ka pranuar 350 euro në formë ryshfeti nga avokatja Drenushë Berisha për mos parashtrimin e kërkesës për caktim të masës së paraburgimit ndaj klientit të saj, i cili ishte nën masën e ndalimit prej 48 orësh.
Në anën tjetër, sipas kësaj dosje prokurori Shala dyshohet për marrje ryshfeti edhe në një rast tjetër.
Sipas Dosjes së PSRK-së, i dyshuari Shala më 11 tetor 2025 me dashje dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë ka kërkuar nga një avokat para objektit të Prokurorisë Themelore në Prizren ryshfet në këmbim të mos-nxjerrjes së aktvendimit për ndalim prej 48 orësh ndaj pesë të arrestuarve për “Lëndim të lehtë trupor”.
Mirëpo, më pas, thuhet se pala është vonuar në dërgimin e parave prej 700 eurosh, dhe për rrjedhojë prokurori ka nxjerrë aktvendimin për ndalim.
Për këtë, prokurori Shala dyshohet se është takuar fizikisht afër shtëpisë së avokatit mbrojtës të njërit nga të dyshuarit, me ç’rast dyshohet t’i ketë bërë me dije avokatit që në këmbim të premtimit për mosparaqitje të masës së sigurisë, duhet të përfitojë materialisht.