Dosja e Prokurorisë në rastin e Sllamnikut, Policia hasi edhe në dëshmitarë tek zyra e tij e “konsulencës”

Gjykata Themelore në Gjilan ka marrë vendim për një muaj paraburgim ndaj Arianit Sllamnikut, pas raportimit të lajmi.net. Lajmi.net përmes të gjitha palëve të përfshira ka raportuar se si Sllamniku po përfitonte mijëra euro në dëm të fëmijëve e prindërve të ndryshëm. Ai deklaronte se e “shëron autizmin” derisa autizmi duhet trajtuar, por jo përmes…

Lajme

22/01/2026 10:41

Gjykata Themelore në Gjilan ka marrë vendim për një muaj paraburgim ndaj Arianit Sllamnikut, pas raportimit të lajmi.net.

Lajmi.net përmes të gjitha palëve të përfshira ka raportuar se si Sllamniku po përfitonte mijëra euro në dëm të fëmijëve e prindërve të ndryshëm.

Ai deklaronte se e “shëron autizmin” derisa autizmi duhet trajtuar, por jo përmes barërave të kafshëve të cilat dyshohet se Sllamniku po u jepte atyre.

Sllamniku  dyhsohet për kryerjen e dy veprave penale.

Nga periudha e papërcaktuar kohore e deri më datë 20.01.2026, në Gjilan, në rrugën “17 Shkurti”, në lokalin e regjistruar si ‘’Consulence’’, i pandehuri, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, pa kualifikim përkatës profesional, pa licencë dhe pa autorizime ligjore për ushtrimin e veprimtarisë mjekësore apo farmaceutike, përkundër se i vetëdijshëm se nuk posedonte kualifikime të posaçme dhe të domosdoshme sipas ligjit ka ushtruar veprimtari të kundërligjshme.

Dosja e prokurorisë në Gjilan jep detaje se si Sllamniku përmes zyrës së tij në Gjilan trajtonte fëmijë me spektër të autizmit.

Ndër të tjerash sipas kësaj dosje thuhet se Sllamniku “në lokalin “Consulence” ka kryer trajtime mjekësore dhe vizita mjekësore e këshilluese kinse për shërimin e Autizmit duke përshkruar e rekomanduar përdorimin e terapive të ndryshme të pa verifikuara e të pa konfirmuara, përkundër se nuk ka pasur njohuri e as kualifikim për këtë fushë mjekësore, ashtu që pas raportimit të lajmit për ushtrimin e kësaj veprimtarie të kundërligjshme gjatë zbatimit të urdhër kontrollit UGJK nr.5/2026 nga NJHP në Gjilan, në lokalin “Consulence”, gjendet edhe një dëshmitar i cili pas marrjes së terminit kishte shkuar për tu konsultuar për trajtimin Autizmit, e po ashtu gjenden edhe medikamente të ndryshme mjekësore të cilat sekuestrohen”.

Pas raportimit për Sllamnikun dhe reagimin e institucioneve të shëndetësisë, Policia në Gjilan fton qytetarët e dëmtuar nga terapitë e Arianit Sllamnikut të paraqiten për intervistim, raporton lajmi.net.

“Gjithashtu i pandehuri edhe përmes komunikimit elektronik nga llogaria e tij dhe përmes telefonit, pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin për veprimtarinë farmaceutike dhe rekomandimet e OBSH-së, ka kryer eksperimente mjekësore duke rekomanduar terapi farmaceutike të pa verifikuar për probleme shëndetësore konkrete, ashtu që pas vizitave të drejtpërdrejta apo edhe kontaktit përmes komunikimit elektronik tek persona të ndryshëm, kryesisht fëmijë të prekur nga spektri Autik ka rekomanduar, përshkruar dhe udhëzuar marrjen e terapisë të pa verifikuar dhe të pa testuar kinse për largimin e metaleve dhe shërimin e Autizmit dhe në këmbim të këtyre shërbimeve pranon shuma të ndryshme të pagesave, i vetëdijshëm se terapitë e këshilluara nuk ishin të testuara në njerëz dhe për probleme të tilla shëndetësore e për të cilat nuk kishte njohuri bazike as për efektet anësore”,theksohet po ashtu në dosje.

Më këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale “eksperimentet e kundërligjshme mjekësore dhe testimi i barërave” nga neni 257 paragrafi 1 të KPRK-së.

Gjyqtarja e procedurës paraprake ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit, duke i marrë për bazë të gjitha ato që u thanë më lart, masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës./Lajmi.net/